·        Vija bregdetare jashtë qendrës administrative të qarkut parashikohet të tërheqë fluks të madh vizitorësh shqiptarë dhe të huaj, sidomos drejt Gjirit të Lalëzit dhe Kepit të Rodonit

DURRËS, 19 mars 2014   Në rrugët që lidhin fshatrat e qarkut të Durrësit, kryesisht, zonat turistike, mungojnë 34 tabela sinjalizuese.

Pas verifikimit të gjendjes teknike të sinjalistikës rrugore në segmentet në administrim të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale Durrës, u vërejt se gjendja është e mangët, gjë që mund të zgjidhet gjatë vitit 2014, thonë burime zyrtare nga administrata e Këshillit të Qarkut.

Kështu, në segmentin Sukth-Manëz, me gjatësi 10 km, ka nevojë për 10 tabela; Shkafane-Ishëm, 10 km, duhen 4 tabela; Kryqëzimi i Ariut-Perlat-Hamallaj, me gjatësi 8 km, 6 tabela; Krujë-Qafë Shtamë, me gjatësi 26 km, 10 tabela.

Sipas Këshillit të Qarkut, plotësimi i këtyre segmenteve me sinjalistikë do të rriste ndjeshëm sigurinë në rrugët rurale.

Sikurse është bërë e ditur, në rrugët rurale të qarkut ka pasur shumë aksidente automobilistike gjatë vitit të kaluar.

Kjo situatë bëhet edhe më e mprehtë në prag të sezonit të ri turistik, pasi vija bregdetare jashtë qendrës administrative të qarkut parashikohet të tërheqë fluks të madh vizitorësh shqiptarë dhe të huaj, sidomos drejt Gjirit të Lalëzit dhe Kepit të Rodonit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/