DURRËS, 19 mars 2014 – Në mungesë kauzash, PD-ja bregdetare, e ndarë më dysh, mundohet të bëjë politikë edhe me plehrat e qytetit, sikurse ndodhi në mbledhjen e këshillit bashkiak të 18 marsit 2014.
Një nga figurat kryesore të opozitës vendore, këshilltari Zamir Ramadani, nisur nga një kronikë televizive, foli me shqetësim për ndotjen e ajrit dhe mjedisit në mbledhjen e këshillit bashkiak të qytetit nr. 2 të Shqipërisë të 18 marsit 2014.
Ramadani kërkoi përgjegjësinë e bashkisë së Durrësit për moszgjidhjen e problemit të një vendi të ri të depozitimit të mbetjeve urbane.
Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako tha se ky është një problem i vështirë dhe madhor, gjë që është jashtë mundësive të pushtetit vendor.
– Prandaj të kanë zgjedhur kryetar për ta zgjidhur problemin! – replikoi sekretari i përgjithshëm i degës së PD-së Durrës Zamir Ramadani.
– Edhe ty të emëruan drejtor të përgjithshëm të hekurudhës për të zgjidhur problemet, por e katandise më keq! – ia priti Dako.
Info
Sipas raportimeve zyrtare nga administrata e bashkisë, në vendin e grumbullimit të mbetjeve, i cili administrohet nga ndërmarrja e shërbimeve komunale (NKSH), vetëm nga qyteti bregdetar për vitin 2013 janë depozituar në total (mbetje urbane, dhera, leshterik) 155 677 metra kub ose 97 298 tonë, me një mesatare ditore prej 426 metra kub.
Në këtë vendgrumbullim mbetjesh, përveç NKSH-së, depozitojnë ndërmarrja komunale Plazh; komunat e Golemit, Rrashbullit, Katundit të Ri e Xhafzotajt; bashkitë e Kavajës e Shijakut; Autoriteti Portual Durrës dhe operatorë privatë.
Kësaj situate të rëndë nuk i kanë dhënë “dum” as organet shtetërore qendrore.
Po rikujtojmë një fakt të freskët të prag-zgjedhjeve të vitit 2013: në buletinin e datës 3 qershor 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik, ish-Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (sot Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës) njoftonte se do të prokuronte “shërbim konsulence” për një “Studim projektim për mbylljen e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Durrës”.
Sipas këtij njoftimi, tenderi do të zhvillohej më 12 qershor 2013, ora 12; ndërkohë, po në këtë buletin, disa faqe më tej thuhej e të kundërta: anulim i procedurës së prokurimit për shkak të hedhjes gabim të datës së hapjes së ofertave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





