Tiranë, 19 mars 2014 – Zëdhënësja e Partisë Demokratike ka denoncuar sot skandalin e radhës me emërimet në postet drejtuese të kryeministrit Rama, siç e cilëson PD.
Sipas Vorpsit, “një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria dy vite më parë, me akuzën e kontrabandës, është gjetur nga Edi Rama dhe është emëruar menjëherë Drejtor i Zyrës së Punësimit në Kavajë. Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti, u zbulua nga autoritetet doganore teksa një kontenier që vinte nga Kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. U kallëzua dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria”.
Vorpsi shtoi më tej se ky person, pak ditë më parë, ka marrë postin e lartë të Drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni ku prezantimin ia ka bërë kryeministri Edi Rama.
“Mund ta dalloni në këtë foto personin e shpallur në kërkim për kontrabandë, që qëndron para kryeministrit dhe në krah të ministrit. Nuk do mend për ta kuptuar se sa boshe është retorika e kryeministrit për merita e profesionalizëm. Me emërimin që po denoncojmë ne sot, del qartë se rilindja e Edi Ramës, është thjesht e vetëm rilindje e personave që kanë probleme të rënda me ligjin, por që i shërbejnë interesave klienteliste të partisë, kryeministrit dhe ministrave të linjës. Heshtja e kryeministrit vetëm e zmadhon skandalin dhe trash më shumë qeverisjen e tij”, thuhet më tej në deklaratë.
Jep dorëheqjen drejtori i Zyrës së Punës Kavajë
Kavajë – Drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë, Saimir Kurti, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Lajmi bëhet me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Punësimit.
Sipas Kurtit Partia Demokratike po zhvillon një fushatë shpifjesh ndaj tij. “Nuk jam në kërkim, nuk i fshihem askujt në Shqipëri. Nuk i fshihem askujt, PD e di fare mirë këtë fakt. Deri në 15.09.2013 PD qeveriste, pati mundësinë ta vërtetonte. Për çështjen në fjalë po ndjek procedurat gjyqësore.”- ka sqaruar Kurti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





