Durrës, 19 mars 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit,Vangjush Dako, ka inspektuar paraditen e sotme punimet për rehabilitimin e hapësirave midis pallateve dhe rrugëve të brendshme të lagjes nr.18 të Durrësit. Punimet e nisura rreth katër muaj më parë synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e kësaj lagjeje si dhe të përmirësojnë cilësinë e jetesës për rreth 15 banorë të zonës.

“Kemi katër muaj që po punojmë për rehabilitimin e kësaj zone, e cila është një bllok mjaft i madh banimi me sipërfaqe prej afro 35 hektarësh dhe një popullsi prej rreth 15 mijë banorësh. Këtij investimi i ka paraprirë një tjetër investim i bërë më parë për këtë zonë dhe tashmë në përfundim të këtij investimi prej rreth 177 milionë lekësh ne rehabilitojmë përfundimisht të gjithë këtë zonë dhe mbajmë premtimin tonë që banorët të shkelin në rrugë dhe sheshe të asfaltuara. Synimi i punës sonë është që të përmirësojmë sa më shumë cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit dhe ne do të vazhdojmë me të tjera investime të mëdha për përmirësuar sa më shumë infrastrukturën në qytetin tonë”,- tha kryebashkiaku Dako gjatë inspektimit në terren.  

Ndërhyrja për rehabilitimin e infrastrukturës së kësaj zone parashikon sistemimin e rrjetit të kanalizimeve dhe trotuareve, vendosjen e ndriçimit si dhe krijimin e sipërfaqeve të gjelbra. Fondi i akorduar nga pushteti lokal për përmirësimin e infrastrukturës së lagjes nr.18 kap vlerën 177 milion lekë. Punimet janë në fazën përfundimtare dhe pas një muaji pritet të përfundojë i gjithë investimi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/