Tiranë, 19 mars 2014– Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi për shpronësimin e banorëve të cilët preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike në Sharrë dhe Tufinë. Njoftimi u bë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në fund të mbledhjes së qeverisë. Ministri fajësoi Bashkinë e Tiranës për problematikën e krijuar.

Sot përfundojmë një debat plotësisht të panevojshëm aspak të shëndoshë dhe mbi të gjitha ndikoi padrejtësisht mbi sigurinë e qytetarëve. Ne gjykojmë se kjo ishte një papërgjegjshmëri dhe zvarritje e panevojshme nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe pushtetit vendor. Fondi për kompesimin e pronarëve do të përballohet nga buxheti i miratuar nga Bashkia e Tiranës. Miratimi i këtij projektvendimi mundëson zgjidhjen njëherë e mirë e situatës dhe për të zhbllokuar ngërçin e krijuar nga Bashkia e Tiranës, mundëson likuidimin e pronarëve si dhe mundëson realizimin e investimit të kërkuar në të dy varrezat”,– tha ministri i Brendshëm.

Tahiri bëri me dije se do të jenë 36 mijë metra katrorë tokë që do të shpronësohen, ndërsa shtoi se dosja për shpronësimet është dorëzuar në qershor të 2013-ës në kohën kur qeveria drejtohej nga opozita e sotme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/