·        Në bazë të udhëzimit nr. 1 datë 12.1.2007 të ish-Ministrit të Financave Ridvan Bode “Për përcaktimin e veprimtarive qe trajtohen si tregtare apo shërbimi ambulant si dhe procedurat e regjistrimit te tyre ne organin tatimor”, të drejtën dhe detyrimin për t’u regjistruar si “persona të vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant”, e kanë personat e vetëpunësuar, që kryejnë tregti apo shërbime individuale në tregjet e miratuara nga organet e qeverisjes vendore, të cilët kanë kontrata për zënie vendi me këto organe

Durrës, 19 mars 2014 –  “Paketa e re fiskale është shoqëruar me rritje të ngarkesës fiskale: në qoftë se një tregtar, deri në vitin 2013, ka paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël në vlerën prej 8 000 lekë, duke filluar nga janari i vitit 2014 do të paguajë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël në vlerën prej 25 000 lekë”, pohimin e bën Juljana Reso, drejtore e taksave dhe tarifave vendore në bashki, në një informacion drejtuar këshillit bashkiak të Durrësit mbi trajtimin e tregtarëve ambulantë.

Sikurse njoftoi “Dyrrah”-u për mbledhjen e 18 marsit 2014 të këshillit bashkiak, ky pohim shkaktoi debat të nxehtë midis këshilltarit demokrat Armand Teliti dhe kryetarit socialist të bashkisë Vangjush Dako.

Natyrisht, opozita vendore është e interesuar të bëjë aleatë dhe nga radha e të njerëzve të vetëpunësuar, duke propozuar tarifa zero gjelbërimi, pastrimi dhe largimi të mbeturinave, ndriçimi.

Por kryetaksidarja e bashkisë sqaron se legjislacioni fiskal për vitin 2014 detyron një sërë ndryshimesh në kategorinë e tregtareve në tregjet e miratuara, të cilët kanë pasur statusin “ambulant”, ndryshime që detyrimisht janë reflektuar në paketën fiskale dhe në zbatimin e të gjitha procedurave tatimore në lidhje me këto subjekte.

Reso thotë se në bazë të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, në lidhje me tatimin e thjeshtuar, grupi i tregtarëve nëpër tregje të miratuara nga bashkia, është përfshirë në grupin e subjekteve me xhiro nga 0 deri në 2 milionë lekë dhe tatimi i thjeshtuar është përcaktuar 25 000 lekë në vit dhe paguhet deri më datë 30 qershor të vitit fiskal.

Lidhur me këtë ndryshim që përcakton ligji nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, taksat dhe tarifat që u takojnë subjekteve, të konsideruar më parë si “ambulantë”, edhe sipas paketës së re fiskale të miratuar me vendimin e këshillit bashkiak nr. 178 datë 29 janar 2014, kanë pësuar rritje.

Procedura e regjistrimit fillestar të këtyre subjekteve është i njëjtë dhe bëhet në Drejtorinë Rajonale Tatimore për pajisjen e tyre me NIPT.

Paketa e re fiskale është shoqëruar me rritje të ngarkesës fiskale. Shembull: në qoftë se një tregtar, në një treg të miratuar, deri në vitin 2013, ka paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël në vlerën prej 8 000 lekë, duke filluar nga janari i vitit 2014 do të paguajë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël në vlerën prej 25 000 lekë.

Në bazë të udhëzimit nr. 1 datë 12.1.2007 të ish-Ministrit të Financave Ridvan Bode “Për përcaktimin e veprimtarive qe trajtohen si tregtare apo shërbimi ambulant si dhe procedurat e regjistrimit te tyre ne organin tatimor”, të drejtën dhe detyrimin për t’u regjistruar si “persona të vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant”, e kanë personat e vetëpunësuar, që kryejnë tregti apo shërbime individuale në tregjet e miratuara nga organet e qeverisjes vendore, të cilët kanë kontrata për zënie vendi me këto organe.

Bashkia Durrës, aktualisht, ka një kontratë vetëm me tregun bujqësor, dhe ky i fundit në bazë dhe të udhëzimit të lartpërmendur personat që ushtrojnë aktivitet në këtë treg konsiderohen “persona të vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant”.

Për sa u përket tarifave vendore, në paketën e re fiskale, orientuar nga ndryshimet që pësoi ligji Nr. 9632 datë 30.10.2006 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore”, personat e vetëpunësuar, që kryejnë tregti apo shërbime individuale në tregjet e miratuara nga organet e qeverisjes vendore, është përcaktuar që tarifa e gjelbërimit të jetë 2 500 leke ne vit dhe sipas pikës 4, të tabelës nr. 6, “institucione dhe njësi të tjera që nuk përfshihen në kategoritë dhe nënkategoritë si më lartë”, tarifa e pastrimit për tregun bujqësor 10 000 lekë/vit dhe për tregjet industriale 15 000 lekë/vit.

Duke iu referuar udhëzimit Nr. 1 datë 12.1.2007, “Për përcaktimin e veprimtarive që trajtohen si tregtare apo shërbimi ambulant si dhe procedurat e regjistrimit të tyre në organin tatimor” , i cili u referohet vetëm tregtarëve në tregun bujqësor, administrata e bashkisë propozoi dhe u miratua me votat e mazhorancës që të përfshihen edhe tregtarët nëpër tregjet industriale, konkretisht: tregu industrial l. 17, tregu industrial l. 12, tregu bujqësor l. 12.

Prandaj, sipas Resos, propozimi për efekt ligji, detyron bashkinë të krijojë dy nënkategori, të cilat do të kenë të njëjtat vlerë tarifore.

Për efekt të tarifimit të tyre në sistem, bashkia rekomandoi që kjo tarifë të ndahet në tarifë e gjelbërimit prej 1 500 lekë, tarifë e pastrimit dhe largimit të mbeturinave prej 1 500 lekë dhe tarifë e ndriçimit prej 3 000 lekë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/