Tiranë, 18 mars 2014 –Kryeministri Edi Rama ka pritur me një ceremoni zyrtare homologun e tij nga Rumania, Viktor Ponta. Në konferencën e përbashkët për shtyp që pasoi takimin kryeministri rumun Viktor Ponta është shprehur se vendi i tij mbështet Shqipërinë për të marrë statusin e BE-së në muajin qershor. “Qeveria rumune është pro marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria që në muajin qershor. Në mënyrë konstante pozicioni ynë ka qenë mbështetës për integrimin e vendeve të rajonit”,- tha ai. 

Sipas tij, “Rumania beson se Shqipëria me një statut shumë të qartë, mund dhe duhet të bëhet pjesë e BE. Për të prekur sa më shpejt këtë diskutova me kryeministrin Rama si Rumania mund ta ndihmojë Shqipërinë”.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Ponta tha: “Kosova është një subjekt që lind polemika në Rumani. Unë mund të flas në emër të qeverisë, se në të gjitha rastet qeveria rumune ka mbështetur iniciativat e qeverisë së Kosovës. Integrimi i Kosovës dhe Serbisë në BE është zgjidhja më e mirë për rajonin”.

Ndërkohë kryeministri Rama theksoi gjatë fjalës së tij se Rumania ka një eksperiencë pozitive në luftën ndaj krimit të organizuar dhe vendi ynë e mirëpret ndihmën në këtë fushë.

“Një tjetër sukses në Rumani është lufta ndaj krimit të organizuar dhe jemi të kënaqur që na ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë, në rritjen e kapitalit human në luftën tonë ndaj krimit. I shpreh mirënjohjen në mbështetjen që qeveria rumune na ka dhënë në të gjitha drejtimet. Po ashtu edhe si aleatë të familjes evropiane socialiste”, theksoi gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/