Durrës, 18 mars 2014 – Dy shtetase nga Durrësi janë shqetësuar dhe kanosur nga persona të paidentifikuar përmes thirrjeve telefonike dhe letrave anonime. Dy rastet janë denoncuar në polici nga të kërcënuarat, të cilat ua kanë lënë në dorë forcave të rendit të zbardhin identitetin e kërcënuesve të tyre.

Kështu, një ditë më parë, ndërsa kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte drejt automjetit të saj tip Peugeot, një 26 vjeçare nga Durrësi ka konstatuar se në fshirëset e xhamit të makinës ishte vendosur një letër. E habitur, 26 vjeçarja ka marrë dhe ka lexuar letrën, që përbënte një kanosje të hapur ndaj saj. E frikësuar ajo i është drejtuar menjëherë komisiariatit të policisë për të bërë denoncimin e rastit. Efektivët e rendit kanë nisur punën për zbardhjen e identitetit të autorëve të letrës kanosëse, pasi letra përmbante veç kërcënimet me jetë dhe jo emrin e dërguesit.

Po një ditë më parë, një shtetase 36 vjeçare ka denoncuar në komisiariat shqetësimin e vazhdueshëm që i bëhej në telefonin e saj celular nga persona të paidentifikuar. Shqetësimi vazhdonte prej kohësh dhe për këtë arsye, 36 vjeçarja ka kërkuar ndihmën e policisë për të identifikuar personin apo personat që e ngacmojnë përmes telefonit. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/