Tiranë, 18 mars 2014 – Kryeministri Edi Rama u kërkoi organizatorëve të konkursit të shkollës së Policisë që të dyfishohet numri i pranimeve, nga 500 të jenë 1000 fitues.

“Nisi zakonshëm por shpejt u transformua në një valë të madhe aplikimesh, që si asnjëherë më parë solli më shumë se 10 mijë aplikantë, për një numër shumë të vogël vendesh, i cili në fillim ishte 250, pastaj përgjatë valës së aplikimeve shkoi në 500, dhe sot unë besoj se është dita që me miratimin tuaj t’i kërkojmë MB-së, Drejtorit të Përgjithshëm dhe gjithë skuadrës që të paktën ta dyfishojmë ta bëjmë 1000.  Jo sepse u bë deti kos, por për një arsye shumë të thjeshtë, ne nuk kemi kohë për të humbur në betejën për më shumë siguri, inovacion, progres dhe pjesë themelore e kësaj beteje është transformimi rrënjësor i strukturës së policisë sështetit, duke rritur cilësinë dhe kapitalin njerëzor në polici, dhe duke bërë policinë shqiptare në një kohë të shpejtë me një moshë mesatare të krahasuar me të gjithë rajonin dhe Europën, për të qenë vend normal”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë, kërkoi që në fund fituesit të jenë kandidatët më të mirë, dhe jo ata që kanë njohje apo aq më keq janë të partisë.Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit vlerësoi faktin që kishte aq shumë kandidate femra.

“Është jashtëzakonisht e kënaqshme që nga konkurentët 1400 janë vajza. Unë besoj se sa më shumë vajza dhe gra marrin rol në jetën e këtij vendi, aq më shpejt do kapërcejmë fazën e errësirës së gjatë sociale dhe rrënimit te vazhdueshëm që për vite karakterizoi rrugën tonë të përbashkët. Nga ky konkurs fituesit do të jenë 50% vajza dhe 50% djem.Dua t’ju them organizatorëve që të kenë parasysh për të garantuar që në këtë konkurs do të fitojnë më të mirët, për të garantuar që në këtë konkurs do fitojë merita, dhe jo kushëriri. Do fitojë vajza dhe djali më i mirë,jo vajza e hallës dhe djali i dajës. Do fitojnë ata të cilët në këtë moment do të jenë më të përgatitur, jo ata që në këtë moment kanë meritën e vetme që të jenë  të njohurit, e të njohurve, apo edhe më keq, partisë”,- deklaroi kryeministri.

Në ambientet e Pallatit të Kongreseve, para zhvillimit të konkursit, është mbajtur një takim me të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet pranë Shkollën Bazë të Policisë. Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri vuri theksin në faktin se në këto muaj të qeverisjes Rama vendi është më i sigurt.

“Në kaq pak kohë kemi arritur ta kthejmë tërësisht kursin e Policisë së Shtetit. Sot vendi është më i sigurtë, qytetarët janë më të sigurtë, dhe akoma më shumë do të jenë në vazhdim, dhe bashkë me ju po e bën dhe do të bëjë maksimumin për të garantuar siguri për qytetarët. Do të jemi bashkë si një skuadër, skuadra e Policisë së Shtetit”,- tha Tahiri.

Nga të dhënat zyrtare në të gjithë vendin kanë aplikuar 10.035 persona nga të cilët 1.558 femra dhe 8.477 meshkuj. Testimet me shkrim do të vazhdojnë nga 18 deri më 21 mars.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/