Itali, 14 mars 2014– Humbi jetën, i goditur me 7 plumba pistolete, para syve të gruas së tij shtatzënë dhe dy fëmijëve të mitur. Mediat italiane i janë rikthyer edhe njëherë vrasjes së 26 vjeçarit shqiptar, Nimet Ziberi, i cili u qëllua në orën 11.00 të së hënës në parkingun e një marketi në Misano, Rimini.

Sipas të përditshmes italiane “La Stampa”, çifti i të rinjve kishte dy fëmijë, ndërsa ishte në pritje edhe të një tjetri. Ziberi ishte martuar me një vajzë italiane, Gessica-n, 24 vjeçe, që punon si parukiere në Riccione. Sipas dëshmitarëve, 26 vjeçari sapo kishte ngarkuar ushqimet në makinë dhe ndërsa gruaja dhe dy fëmijët ishin futur në automjet, ai po kthente mbrapsht karrocën. Pikërisht në atë kohë, atij i është afruar një burrë që ka shkrepur në drejtim të tij 7 plumba, duke e goditur në gjoks. Ziberi nuk ka pasur mundësi as të kthehej të shihte vrasësin, por është rrëzuar në tokë, ndërsa shtrëngonte në dorë një kukull, që sapo e kishte blerë. Po sipas dëshmitarëve, vrasësi është larguar për pak metra në këmbë, pastaj me një automjet që dyshohej se drejtohej nga një grua. Ndërsa sipas disa dëshmive të tjera, personi që shtiu në drejtim të Ziberit ishte një i ri me kapuç. Megjithëse policia është vënë në kërkim të autorëve të vrasjes ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e tyre.

Mediat italiane raportojnë se vrasja mund të jetë bërë për larje hesapesh. Gruaja e Ziberit ka deklaruar se nuk e njihte vrasësin e të shoqit. Hetuesit kanë marrë në dorëzim të gjitha pamjet filmike të supermarketit, të cilat mund të hedhin dritë mbi identitetin e vrasësit. Mendohet se Nimet Ziberi është takuar me një person në market dhe pikërisht ky takim e ka tensionuar familjen. Hetuesit janë duke punuar për të zbuluar, nëse personi që u takua me Nimetin në market është edhe vrasësi i tij. 26 vjeçari shqiptar rezultonte i papunë, ndërkohë që e shoqja punonte si parukiere. Kohët e fundit çifti kishte ndërruar shpesh shtëpitë. Nuk dihet ende nëse këto spostime kishin të bënin me vështirësitë ekonomike me të cilat mund të përballej çiftit apo bëheshin për të tjera arsye.

 

/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/