Itali, 18 mars 2014 – Një atentat tipik mafioz, i regjistruar mbrëmjen e së hënës në provincën e Tarantos, në Itali, u ka marrë jetën 3 personave, mes të cilëve edhe një fëmije 4 vjeç. Viktimat janë qëlluar në automjetin e tyre me breshëri automatiku. Në makinë ndodheshin edhe 2 fëmijë të tjerë, të moshës 6 dhe 7 vjeç, por që fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
Duket se shënjestra e sulmit ka qenë Cosimo Orlando, 43 vjeç, i cili po kthehej në burgun e Tarantos ku po vuante dënimin. Vite më parë, Orlando ishte bërë protagonist i një vrasjeje të dyfishtë, që lidhej me trafikun e lëndëve narkotike e që u mori jetën 2 të rinjve nga Castellaneta. Së bashku me Orlando-n ka humbur jetën edhe partnerja e tij Carla Maria Fornari, 30 vjeçe dhe djali i saj 4 vjeçar, i lindur nga një marrëdhënie e mëparshme e gruas.
Vogëlushi që humbi jetën në këtë atentat ishte djali i Domenico Petruzzelli-t, i vrarë në një tjetër atentat në maj të vitit 2011. Trupave të Domenico-s dhe një shoku të tij pasi u vranë iu vu flaka në automjetin e tyre.
Pas vrasjes së mbrëmshme, ministri i brendshëm italian, Angelino Alfano, dërgoi në provincën e Tarantos 60 efektivë të reparteve të Policisë së Shtetit dhe Karabinierëve. “Duhet të japim një përgjigje të shpejtë dhe konkrete përpara një vrasjeje të tillë, të kryer me një egërsi të paparë”,- tha Alfano.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





