DURRËS, 17 mars  – Këshilli bashkiak i Durrësit pritet të diskutojë nesër mbi ndryshimet në sistemin e pikëzimit, çka do t’i hapë rrugë dhënies me qira të 150 apartamenteve sociale që kanë përfunduar thuajse tre vjet më parë.
Verëjtjet mbi sistemin e pikëzimit të paraqitur nga bashkia kanë penguar për disa kohë hartimin e listës përfundimtare të familjeve që do të përfitojnë nga vendosja me qira në apartamentet 1 + 1 dhe 2 + 1. Pallatet janë ndërtuar me fondet e Bankës së Këshillit të Evropës.  Pas miratimit të prishëm në mbledhjen e ditës së martë, bashkia e qytetit duhet të përzgjedhë sipas kritereve të përcaktuara mes 1280 familjeve me statusin e të pastrehit, të cilat kanë aplikuar që prej disa vitesh.

Sipas burimeve zyrtare të bashkisë, sistemi i pikëzimit do ta lehtësojë proçesin e shpërndarjes së apartementeve, që do t’u jepen familjeve sipas numrit të anëtarëve. Qeratë mujore për këto familje shkojnë nga 5.000-7.500 lekë. Blloku me katër pallate është ndërtuar pranë ndërmarrjes së ujësjellësit, në lagjen 17, vetëm 1500 m larg nga qendra e qytetit bregdetar.

Në vitin 2008 ndarja e 48 apartamenteve për familjet e pastreha në Durrës zgjati më shumë se një vit për shkak të mosmarrëveshjeve mes administratës dhe këshillit bashkiak.
Burimet e bashkisë nënvizojnë se procedurat e përzgjedhjes do të jenë më praktike dhe listat e seleksionimeve paraprake do të paraqiten në mbledhjen më të afërt të këshillit bashkiak. Procesi pritet të jetë më i lehtë, pasi prej disa muajsh shumicën e anëtarëve në këtë këshill e kanë përfaqësuesit e partive të koalicionit të majtë.

/ATSH-Gëzim Kabashi/