Tiranë 17 mars 2014 – Kriza e konsumit në ekonomi preket edhe në pagesat me kartë bankare. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar volumi i pagesave me kartë ra për herë të parë që nga nisja e përdorimit masiv të këtyre instrumenteve në ekonominë shqiptare.
Gjatë një viti, vlera totale e pagesave me karta në sistemin shqiptar të pagesave ishte 12.5 miliardë lekë, në rënie me 6.7% krahasuar me vitin 2012. Rënia e volumit të pagesave ka ardhur pavarësisht nga rritja e ndjeshme e numrit të tyre. Vitin e kaluar u kryen rreth 1.5 milionë pagesa me kartë, nga 1.1 milionë që kishin qënë në vitin 2012. Kjo tregon se përdorimi i kartave nga shqiptarët po vazhdon të rritet, por vlera e shpenzimeve është më e ulët.
Në fund të vitit 2013, numri total i kartave bankare në përdorim të individëve arriti në 805 mijë, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2012. Rritja më e lartë ka ardhur në segmentin e kartave të kreditit, që arritën në 64 mijë, me një rritje vjetore prej afro 31%. Ky është një tregues i rritjes së përfshirjes së individëve në tregun financiar, po të kemi parasysh se kartat e kreditit janë një instrument i mirëfilltë kreditor dhe më i avancuar krahasuar me kartat e zakonshme të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Sistemi bankar vijoi edhe gjatë vitit të kaluar zgjerimin e rrjetit të terminaleve që ju mundësojnë klientëve kryerjen e pagesave me kartë në njësitë tregtare.
Terminalet elektronike të shitjes në fund të vitit 2013 ishin afro 5,700, në rritje me % krahasuar me një vit më parë. Interesi i bizneseve dhe individëve për të aplikuar transaksione direkte përmes kartave duket në rritje, çka është edhe një tregues i formalizimit në rritje dhe uljes së përdorimit të cash-it në ekonomi. Por, fakti është se njerëzit po shpenzojnë më pak dhe kjo duket qartë edhe në pagesat me kartë.
/Scan-Tv/





