SHBA, 17 mars 2014 – E dashura e këngëtarit të famshëm Mick Jagger, modelja dhe stilistja L'Wren Scott u gjet e vdekur në apartamentin e saj në Nju Jork. Kufoma e 47-vjeçares u zbulua nga ndihmësi i saj. Sipas mediave amerikane ajo kishte varur veten me një shall. “Mick Jagger është i tronditur dhe i shkatërruar nga vdekja e partneres së tij”,- është shprehur menaxheri i këngëtarit.
Emri i vërtetë i modeles dhe stilistes, L'Wren Scott, është Luann Bambrough. Në moshën 18 vjeçare ajo ndryshoi emrin në L'Wren Scott, ju kushtua modës dhe u zhvendos në Paris. Ka punuar si stiliste për Ritts, Helmut Newton, Karl Lagerfeld dhe Mario Sorrenti.
Koleksioni i saj i parë është quajtur "Little Black Dress" dhe është lançuar në vitin 2006. Koleksioni përbëhej nga një seri fustanesh të zinj të veshur nga artiste të tilla si Madonna, Sarah Jessica Parker, Angelina Jolie, Nicole Kidman dhe Penelope Cruz. Marrëdhënia me liderin e grupit 'Rolling Stones' ka nisur që në vitin 2001.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





