·        Agim Rameta jep dorëheqje si drejtori i Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale Rajonale, zëvendësohet nga Alion Hysko

DURRËS, 17 mars 2014 –  Bingo! Administrata e Këshillit të Qarkut Durrës në vitin 2014 paska propozuar një drejtor me arsim të lartë, duke lënë të kuptohet se mund të ishte dhe me arsim të mesëm apo 7-8-9-vjeçar!

Madje, për të propozuarin nuk thuhet se ç’lloj arsimi të lartë ka për një ndërmarrje që merret me mirëmbajtje rrugësh dhe nuk ka asnjë informacion (CV) se çfarë përvoje të mjaftueshme paska në pozicion drejtues.

Kështu përfaqësuesve të zgjedhur të njësive të pushtetit vendor të qarkut më të rëndësishëm të vendit u paraqitet një “letër bakalli”, gjë që dëshmon për një negligjencë të theksuar në hartimin e dokumenteve.

Këshilli i Qarkut Durrës, në mbledhjen e tij të 17 marsit 2014, vendosi të lirojë Agim Rametën nga detyra e drejtorit të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale Rajonale Durrës dhe të emërojë në vend të tij Alion Hyskon.

Sipas relacionit me dy radhë, Rameta ka bërë kërkesë për dorëheqje nga posti i drejtorit më 31 janar 2014, kurse zëvendësuesi i tij Hysko është “me arsim të lartë dhe me eksperiencë të mjaftueshme në pozicion drejtues”.

“Dyrrah”-u nuk paragjykon z. Hysko, që mund të jetë një menaxher publik i aftë dhe i uron suksese në detyrë.

Z. Hysko e diskrediton mendjelehtësia e eprorëve, që nuk dinë ta promovojnë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/