Itali, 17 mars 2014 – Vrasja e 26 vjeçarit shqiptar, Nimet Ziberi, në mes të ditës në një supermarket në Misano (Rimini) ka tronditur gjithë komunitetin e zonës, veçanërisht shqiptarët që jetojnë prej vitesh aty. Një prej tyre, me të cilin Agjencia e lajmeve “Dyrrah” kontaktoi, ka parë nga afër gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Emigranti B.F. ndodhej në një lokal ngjitur me supermarketin kur janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri. Ai na mundësoi edhe një foto të shkrepur vetëm pak sekonda pas vrasjes së rëndë. Emigranti ndidhet ende i shokuar për atë skenë që ka parë dhe shprehet se ngjarje të tilla ndikojnë për të prishur imazhin e mirë që shqiptarët kanë krijuar vitet e fundit në vendin fqinjë Itali.
Ju ndodheshit në vendngjarje. Mund të na rrëfeni se çfarë ndodhi?
“Isha në lokal, kur dëgjuam të shtënat. Menduam menjëherë se diçka e rëndë ndodhi. Baristi doli menjëherë jashtë dhe në moment u kthye sërish brenda për të njoftuar karabinierët dhe urgjencën. Më pas doli dhe njëherë dhe së bashku me një kalimtar të rastit u përpoq t’i jepte ndihmën e parë të plagosurit.
Sa të shtëna dëgjuat?
Ishin disa. Nuk di ta them me saktësi. Veçse të gjithë u trembëm. Vetëm kur dolëm jashtë pamë dhe kuptuam çfarë kishte ndodhur. Më ngjau si një skenë filmi, por fatkeqësisht kishte ndodhur vërtet.
Çfarë ndodhi më pas?
Të gjithë ne dolëm përjashta dhe u afruam të shihnim. Dëgjonim të qarat e gruas dhe fëmijëve të tij të vegjël. Ishte e tmerrshme. Fëmijët i morën me vete dy gra që t’i largonin nga aty. Nuk mund ta imagjinoj që e vranë në atë lloj mënyre. Megjithëse baristi u përpoq t’i jepte ndihmën e parë, për viktimën nuk mund të bëhej më asgjë. Kishte vdekur. Në fillim nuk e dinim se kush ishte. Por më pas nisën të qarkullonin fjalë se i vrari ishte një shqiptar. Kjo na bëri të ndiheshim edhe më keq.
E njihnit viktimën Nimet Ziberi?
Jo nuk e njoh personalisht. Di që vëllai i tij punonte tek supermarketi ku u vra 26 vjeçari. Erdhi më vonë aty. Si duket e njoftuan karabinierët. Ishte shumë e tmerrshme dhe për të. Çfarëdo të kishte bërë Nimeti, nuk duhej të vritej në atë mënyrë, para gruas dhe fëmijëve. Nuk gjej fjalë për atë që na panë sytë…
Cili është reagimi juaj për ngjarjen e sotme?
Jemi vërtet të indinjuar. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Shumë gjëra të hidhura po ndodhin këto ditë. Dhe këtu nisin e flasin keq për emigrantët kur ndodhin gjëra të tilla.
NGJARJA
Një 26 vjeçar shqiptar, me banim në Itali është vrarë sot në Misano (Rimini( me 6 plumba pistolete, para gruas dhe fëmijëve të tij. Mediat italiane raportojnë se 26 vjeçari Nimet Ziberi është vrarë rreth orës 11.00 në parkingun e një marketi në Rimini.
Ziberi sapo kishte bërë pazarin bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Ndërsa ishte duke sistemuar në bagazhin e automjetit të tij tip Audi, qeset me ushqime, atij i është afruar një automjet tjetër nga i cili ka zbritur një burrë që ka shkrepur plot 6 plumba pistolete në drejtim të tij. Sipas dëshmitarëve, automjeti i vrasësve (ndodheshin dy persona në bordin e makinës) është larguar me qetësi nga dalja e vetme e qendrës tregtare.
Sipas policisë e cila po heton ngjarjen e rëndë duket se bëhet fjalë për një larje hesapesh. Ziberi ishte rezident në Misano, në fshatin Argentina dhe figuronte i papunë prej kohësh. Dosja e tij penale duket e pastër.
/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





