Tiranë, 17 mars 2014 – Kontrolli i Lartë i Shtetit pritet të zgjerojë kompetencat me projektligjin e hartuar prej dy vitesh. Krahas auditimit te financave parashikohet të vlerësohet edhe performanca e institucioneve, ndërsa KLSH kërkon të respektohen rekomandimet për largimin e drejtuesve që abuzojnë me detyrën. Kryetari, Bujar Leskaj tha se kjo kompetencë, duhet të përfshihet në ligjin e ri të KLSH-së, që po diskutohet në Parlament.
"Ne kemi sjellë dhe tek materialet shtesë, do ju sjellim edhe përvojën sllovene, përsa i përket auditimit të koncensioneve. Personalisht, jam që ne si KLSH duhet të vazhdojmë të auditojmë edhe në zbatimin e koncensioneve, pra duhet t'i auditojmë këto subjekte", tha Leskaj.
Projektligji i mbërritur në Komisionin e Ekonomisë parashikon që KLSH të bëjë edhe auditimin e performancës së institucioneve, çertifikimin e pasqyrave të tyre financiare dhe të japë opinione mbi to. Por, shqetësimi i KLSH është edhe tek zbatimi i rekomandimeve. Leskaj kërkoi që qeveria të respektojë rekomandimet e këtij institucioni për largimin e drejtuesve të lartë që abuzojne me detyrën.
Kompetencë që do të përcaktohet në ligj sipas kreut të komisionit. Veç të drejtës për të kontrolluar koncesionet, kreu i KLSH-së ceku dhe një tjetër çështje të nxehtë, që ka të bëjë me bllokimin e këtij institucioni për të kontrolluar tatimet.
"Në çdo kohë KLSH-ja është penguar në dhënien e informacionit nga drejtues të lartë. Kjo pengesë i ka sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit", tha Leskaj.
Prej 3 vjetësh, KLSH nuk është lejuar të auditojë të dhënat e tatimeve për borxhet që bizneset kanë ndaj shtetit dhe zoti Leskaj tha se ngërçi vazhdon. Muajt e fundit janë publikuar një sërë rastesh kur tatimet, veçanërisht gjatë fushatës elektorale dhe tranzicionit të pushtetit, kanë bërë rimbursime të paligjshme të TVSH-së, që i kanë marrë arkës publike dhjetëra milionë euro.
Projektligji i hartuar prej dy vitesh, pritet të marrë konsensusin e të dy palëve këto ditë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





