Malajzi, 17 mars 2014– Avioni MH370 mund të jetë në duart e talebanëve në Afganistan. Supozimi është ngritur nga burime pranë aviacionit australian, që citohen nga siti “The indipendent”. Sipas të njëjtave burime, avioni i zhdukur prej më shumë se një javë, pasi fiku komunikimin me radarët fluturoi në kuotë të ulët në territorin e 3 shteteve dhe më pas është ulur në një zonë mes Afganistanit dhe Pakistanit, që kontrollohet nga talebanët.

Pistën se avioni mund të jetë rrëmbyer nga Al – Kaeda e ngritën të parët britanikët.  Sipas “Sunday Telegraph”, një anglomusliman i lidhur me Al – Kaedën ka deklaruar gjatë një procesi gjyqësor në Nju Jork se në vitin 2005 kishte takuar në Afganistan, 4-5 malajzianë që kishin për qëllim të rrëmbenin një avion. Ka qenë pikërisht ky anglomusliman që u ka dorëzuar atyre një këpucë me eksploziv dhe u ka shpjeguar se mund ta përdornin për të hapur derën e kabinës së pilotimit.   

Shërbimet e inteligjencës së 15 vende janë angazhuar në operacionet për gjetjen e avionit të zhdukur me 239 persona në bord.  Sipas “The indipendent” pasi avioni fiku komunikimin me radarët fluturoi në një lartësi prej 1500 metra duke treguar kështu se piloti i avionit kishte aftësi të operonte ashtu siç bëjnë ushtarakët.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/