Korçë, 16 mars 2014 – I ngacmon gruan, 41-vjeçari kafshon dhe i këput veshin me dhëmbë një të riu. Ngjarja e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në qytetin e Bilishtit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në periferi të qytetit të Bilishtit.
Bashkëshortja e 41- vjeçarit, Ferdinand Mulla, ka qenë duke kaluar në rrugë, por është ngacmuar me fjalë nga 32-vjeçari F.LL., ndërsa e gjithë skena është parë nga bashkëshorti i saj, i cili ka qenë i ulur në një lokal aty pranë. Sapo ka parë 32-vjeçarin që ka ngacmuar bashkëshorten e tij, babai i dy fëmijëve është ngritur i revoltuar nga lokali dhe pas një debati me fjalë, ka nisur ta qëllojë me grushta të riun në rrugë. Ai nuk është ndalur, por e ka kafshuar në vesh, duke i këputur një pjesë të tij.
I riu është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës. Bluzat e bardha bëjnë të ditur se gjendja e tij është stabilizuar. Ndërkaq, policia ka arrestuar në flagrancë 41-vjeçarin Ferdinand Mulla, banues në qytetin e Bilishtit, nën akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





