·        Jo unitet nga brohoritje dhe “shumica” nga margjinat e qytetit

·         Me reformën territoriale, me të cilën do të shkohet në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, popullsia rurale e bashkuar në një rajon të madh, ka pjesë më të vogël në raport me atë urbane

·        Triumfi sot në parti mund të kthehet në një dështim tjetër të radhës nesër në konkurrimin për administrativet

DURRËS, 16 mars 2014 –  Ndonëse në të majtën durrsake po shfaqen pakënaqësi të ndryshme të anëtarësisë, kjo nuk ka ndikuar në forcimin e së djathtës.

Madje, po kristalizohen dy grupime, shenjë tarafesh, por edhe indikator krize konceptimin e unitetit në degën e PD-së; kjo shfaqet sidomos në mediet e opozitës.

Televizioni vendor “Adria Net” me pronar z. Arqile Gorea, një veteran i së djathtës, ish-kryebashkiak, ish-drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike Posta shqiptare sha, i bën jehonë vetëm kryetarit të PDSH-së, z. Lulzim Basha.

Kurse portali “Gazeta e Durrësit” i bën jehonë deputetes Mesilë Doda, që kërkon nga z. Basha përfilljen e njerëzve të të ndjerit Sokol Olldashi.

Natyrisht, përtej këtyre dy vijave, ka edhe shumë anëtarë të vjetër të PD-së, që janë shkëputur dhe abstenojnë (madje flasin jo mirë për partinë që kanë pasur për zemër dhe që kanë luftuar për të; njëkohësisht ka dhe njëfarë rrjedhjeje drejt FRD-së, PR-së dhe LSI-së, kjo për arsye të ndryshme).

Mungesa e kohezionit po e çon PD-në e Durrësit drejt një disfate të re për zgjedhjet në bashkinë bregdetare, ndonëse e majta është e konsumuar për 4 mandate rresht.

Ende PD-ja nuk e ka gjetur figurën autoritare që do të kanalizonte dy vijat dhe grupet e vogla të mënjanuara apo të vetë-mënjanuara.

Problemi shtrohet jo për një unitet të siguruar nga brohoritjet dhe “shumica” që vjen kryesisht nga zonat e margjinalizuara të qytetit apo zonat rurale.

Kjo bëhet edhe më shqetësuese me reformën e re territoriale, me të cilën do të shkohet në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Nisur nga rezultatet në shkallë qarku të 23 qershorit 2014, por edhe ato më të hershme, vendoret mund të rezultojnë një katastrofë të vërtetë për degën e PD-së.

Thjesht, sepse, zona rurale e bashkuar në një rajon të madh, ka pjesë më të vogël në raport me atë urbane.

Këtë duhet të kuptojnë edhe të deleguarit e qendrës për zgjedhjet në parti.

Triumfi “rural” kundër “olldashianëve” në parti sot, mund të kthehet në një dështim tjetër të radhës nesër në zgjedhjet administrative.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/