Kinë, 16 mars 2014 – Yu Xukang është një 40 vjeçar, që jeton vetëm me të birin e mitur. Si të gjithë baballarët e botës, edhe ai, çdo ditë shoqëron të birin në shkollë. Meqë nuk ka makinë, detyrohet ta mbajë në shpatullat e tij e jo për pak, por për plot 14 km.
Huffington Post rrëfen historinë e 40 vjeçarit kinez dhe djalit të tij 12 vjeçar Xiao Qiang, i cili është i prekur nga një patologji që deformon eshtrat e skeletit të tij, duke ia bërë të pamundur ecjen. Ata jetojnë në provincën Sichuan ku nuk ka mjete publike dhe shkolla më e afërt është 7 km larg. Xukang dëshiron më të mirën për djalin e tij prandaj nuk nguron ta mbajë çdo ditë mbi shpinë dhe të përshkojë me të kilometra të tërë. Pasi e dorëzon në shkollë ai niset për punë dhe më pas, kur djali përfundon shkollën është sërish aty për ta dërguar në shtëpi. Djali duket se po e shpërblen më së miri mundimin e të atit. Është një nxënës model dhe ëndrra e të dyve është që Xiao të ndjekë universitetin. “Jam i bindur se do të bëjë gjëra të mëdha”,- thotë babai për djalin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





