Durrës, 16 mars 2014 – “Nuk shkoja me prindërit e Xhuljanit, prandaj arritëm në këtë pikë”. Kështu mësohet ta ketë nisur dëshminë e saj Antoneta Ndoi, 21-vjeçarja e cila u bë shkas i kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia shoqëroi studenten e Universitetit të Durrësit, për të hedhur dritë mbi shkakun e konfliktit mes dy familjeve, të cilat deri tri ditë më parë ishin krushqi me njëra-tjetrën. “Panorama” zbardhi dëshminë e dhënë për grupin e hetimit nga Antoneta Ndoi. 

Çfarë ndodhi dje në banesën tuaj? 
Diskutuam rreth problemeve që kishim unë dhe Xhuljani. Por situata u tensionua pasi nuk po gjenim dot gjuhën e përbashkët. Babai u shqetësua shumë për këtë dhe u inatos. 

Po më pas? 
Babai po debatonte ashpër si me Xhulianin, ashtu edhe më vjehrrin, Përparimin. Në një moment mori thikën në tavolinë dhe i sulmoi. Qëlloi disa herë me thikë mbi Përparimin, më pas edhe ndaj Xhuljanit. Më pas nxori çiften dhe qëlloi në drejtim të tyre teksa ata ishin duke dalë nga banesa. 

Pse të kthyen te shtëpia e babait? 
Nuk shkoja me vjehrrin dhe vjehrrën. Bënim debate të shumta. Situata u tensionua gjatë këtyre ditëve të fundit, aq sa i kërkova Xhuljanit të dilnim në shtëpi veçmas tyre. Ai nuk donte, sepse dëgjonte më shumë prindërit. Ata ia mbushnin mendjen duke më nxjerrë mua të keqe dhe më kërkuan që të ikja te prindërit e mi.

/gazeta “Panorama”/