Kukës, 16 mars 2014 – Do të jetë drejtësia ajo që do të japë verdiktin e saj për dënimin e 37 vjeçares Edlira Dobrushi, që një javë më parë masakroi me thikë 3 vajzat e saj të mitura. Familjarët e babait të vajzave, Bashkimit, kanë deklaruar se familja e tyre nuk do të marrë hak për aktin makabër të kryer nga nëna e vajzave. Në përcjelljen për në banesën e fundit të Simonës, Kejsit dhe Sidnit ishin të pranishëm edhe familjarët e të afërmit e Edlira Dobrushi Çopës.  Pas ceremonisë mortore, familja Dobrushi ka deklaruar se “nuk kemi punë me asnjë dhe nuk do të mbajmë hasmëri me asnjë.Kush ka bërë gabimin do të vuajë. I pritëm familjarët e Edlirës. Nga ky moment, secili në jetën e vet. Ky vendim është marrë në emër të familjes dhe 8 vëllezërve të Bashkim Dobrushit”.  

Pasditen e së shtunës u përcollën për në banesën e fundit tre motrat Dobrushi që u vrarë nga nëna e tyre në Lecco të Italisë. Ceremonia e varrimit ka nisur në orën 16:00 dhe shumë të afërt të të dy familjeve si dhe një numër i madh qytetarësh kuksianë i ka dhënë lamtumirën e fundit tre vajzave.

Përpara ceremonisë mortore të kryer në vendlindje, lamtumira e fundit iu dha vajzave të mitura edhe nga mijëra qytetarë të Lecco-s, shokë dhe shoqe shkolle të Simonës, Kejsit dhe Sidnit si dhe nga autoritetet më të larta lokale të qytetit të vogël italian.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/