Durrës, 16 mars 2014 – Kërkesa e vazhdueshme e nuses së re 21 vjeçare dhe prinërve të saj për të mos jetuar në të njëjtën shtëpi me prindërit e burrit u bë shkak për ndarjen e çiftit, ndarje që kulmoi me një të vrarë dhe një të plagosur. Ngjarja e rëndë që tronditi zonën e ish-Kënetës pasditen e së shtunës pati si motiv një konflikt familjar. Pas kthimit në shtëpi të nuses së re, e martuar vetëm 2 javë më parë, babai i saj nuk nguron të vrasë krushkun dhe të plagosë dhëndrin në oborrin e shtëpisë së tij. Përparim Hoxha, 52 vjeç, mbeti i vdekur, ndërsa djali i tij Xhulian Hoxha, 24 vjeç, është plagosur rëndë pas përplasje me familjen e nuses. Policia identifikoi dhe prangosi autorin e dyshuar të vrasjes, i cili rezulton të jetë Andon Ndoj, 50 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës.

Dy të rinjtë, Xhuljano Hoxha, 24 vjeç dhe Antoneta Ndoj, 21 vjeçe ishin njohur muaj më parë, pasi ishin të dy banorë të zonës. Pëlqimi reciprok ishte kthyer në dashuri dhe çifti kishte vendosur të ndante jetën së bashku. Dy javë më parë, dy familjet organizuan një darkë për të kurorëzuar me martesë lidhjen e tyre.

Por fill pas nisjes së bashkëjetesës në familjen e burrit, duket se 21 vjeçarja ka nisur të këmbëngulë për të jetuar në shtëpi veçan së bashku me bashkëshortin e saj. Kjo kërkesë e nuses së re duket se nuk ëhstë mirëpritur as nga djali dhe as nga prindërit e tij. Pas vetëm 2 javësh së bashku, bashkëshorti vendos të rikthejë Antonetën në shtëpinë e saj, duke i dhënë kështu fund martesës 15 ditore.

Kthimi i vajzës në shtëpi dhe vendimi i dhëndrit për divorc ka nxitur reagimin e babait të vajzës, Anton Ndoj. Pasi kanë debatuar më parë, por pa rezultat, sepse krushqit ishin të vendosur në vendimin e marrë, Ndoj ka goditur me armë zjarri dhe mjete të forta Përparim e Xhulian Hoxhën duke u shkaktuar plagë të rënda. Përparimi ka gjetur vdekjen më vonë në spital, ndërsa Xhuliani është nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Durrësit, pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë.

Policia ka mundur të prangosë autorin e krimit të dyfishtë si dhe ka shoqëruar në komisariat dhe gruan e Antonit, që mendohet se ka ndihmuar 50 vjeçarin të kryente krimin. Ndërkohë në banesën e prindërve të saj në momentin, kur ndodhi krimi ndodhej edhe 21 vjeçarja Antoneta Ndoj, e cila mesa duket nuk ka mundur të shmangë ngjarjen tragjike.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/