15 mars 2014 – Çmimi i karburantit gjatë kësaj jave ka shënuar një rënie relativisht të ulët krahasuar me një javë më parë edhe pse muaji Janar nisi me një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës e benzinës në vend.

Tregtarët me pakicë e kanë shfrytëzuar këtë situatë duke u justifikuar me rritjen e taksës së qarkullimit për çdo litër karburant. Megjithatë, rritja nuk ka qenë asnjëherë në përputhje me taksën e re, pasi javën e parë të muajit Janar karburantet u rritën me 8 lekë për litër, javën e dytë u rritën me 5 lekë më shumë nga java e parë. Kështu, nëse rritja e taksës së qarkullimit ka qenë 10 lekë, çmimi i një litri karburant është rritur me 13 lekë. Pa marrë parasysh këtu se, efekti i taksës së re duhet të ndihej nga muaji Prill.

Nga vëzhgimi i bërë në pikat e karburanteve, vërehet se gjatë kësaj jave një litër naftë është tregtuar nga 189 deri në 194 lekë për litër, ndërsa një javë më parë është tregtuar me 191 deri në 198 lekë për litër. Gjithashtu edhe çmimi i benzinës ka pësuar rënie, ku këtë javë është shitur me 191-197 lekë për litër, ndërsa javën e kaluar është tregtuar me 193 deri në 198 lekë për litër. Rritja që pësuan çmimet e karburanteve në dy javët e para të muajit Janar nuk është për shkak të paketës së re fiskale të miratuar në Dhjetor, pasi si rregull karburantet duhet të kenë rezerva 3-mujore dhe rritja e çmimeve nuk reflektohet direkt.

/RTV SCAN/