Durrës, 15 mars 2014 – Policia e Durrësit ka prangosur një nga vëllezërit Muça, banorë të qytetit të Sukthit, ndërsa ka shpallur në kërkim vëllain tjetër. Arrestimi është kryer pasi 33 vjeçari Tani Muça, rreth orës 17.00 të së enjtes së bashku me vëllanë e tij më të madh, 38 vjeçarin Goni Muça, dyshohet se ka qëlluar me thikë një 38 vjeçar, R.M. banor i Sukthit. Burime policore bëjnë të ditur se i plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja nuk ka përfunduar këtu. Pasi vëllai i të plagosurit ka mësuar për sulmin e ndërmarrë ndaj 38 vjeçarit R.M., ka shkuar tek banesa e Tani Muçës dhe e ka goditur këtë të fundit me mjete të forta duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 42 vjeçarit Sh.M. për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”. Ndërkohë mbi dy vëllezërit Muça rëndon akuza “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”. Policia deklaron se ka shpallur në kërkim shtetasin Goni Muça dhe po punon për ndalimin e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





