Durrës, 14 mars 2014 – Frika nga hakmarrja detyron familjarët e Odise Verbofshit që të largohen jashtë vendit. Vëllai i 32-vjeçarit, i cili mbrëmjen e 20 shkurtit të këtij viti vrau me nga një plumb në kokë dhe më pas dogji 27-vjeçarin Shaban Babasi dhe 32-vjeçarin Albert Kasalla nga Fushë-Kruja ka kyçur shtëpinë dhe është larguar me bashkëshorten e fëmijën e tyre. 

Gjithashtu, edhe prindërit e autorit të vrasjes së dyfishtë që tronditi opinionin publik janë kthyer në Itali ku kishin emigruar prej 10 vjetësh. Që prej dy javësh, shtëpia e Odise Verbofshit dhe e vëllait të tij, Ergysit në zonën e Shkozetit në Durrës janë mbyllur. Ndërkohë, bashkëshortja e Verbofshit së bashku me djalin e mitur është kthyer tek prindërit e saj në fshatin Poloskë të rrethit të Devollit. 

"Pas vrasjes së dy të rinjve nga fshati Kamberas i Fushë-Krujës, u krijua një situatë e padurueshme për pjesëtarët e familjes Verbofshi. Prindërit e Odisesë i druheshin hakmarrjes dhe janë larguar duke marrë me vete edhe djalin tjetër, Ergysin, i cili është i martuar dhe ka një fëmijë. Kanë ikur të gjithë. Banesat e dy djemve janë të mbyllura, po ashtu edhe servisi. Ishte e tmerrshme, Odiseja i mori më qafë", pohuan dje banorë të Shkozetit. Ata u shprehën se familja Verbofshi ka dhënë me qira dhe lokalin në pronësi të tyre.

 "Nuk janë bërë të gjallë, ikën, pasi ishin shumë të frikësuar. Na vjen keq sidomos për Ergysin, pasi ishte djalë i mirë dhe punëtor. Jemi befasuar se si Odiseja bëri atë krim. Ai dukej i qetë dhe nuk i dëgjohej zëri. Askush nuk e dinte se ai merrej me drogë", tha një nga fqinjët e familjes Verbofshi. Pas krimit makabër, nëna e Odise Verbofshit, Violeta, deklaroi: "Djali im të kalbet në burg. Nëse familjarët e viktimave duan të hakmerren, le të më vrasin mua"! 

E pyetur në largimin e familjarëve të të akuzuarit për vrasje, Verbofshi, avokatja e tij, Liljana Tanku deklaroi se ata ndiheshin të terrorizuar. "Gjykata më caktoi për mbrojtjen e Odise Verbofshit. Familjarët e tij ishin vërtet të terrorizuar. Veprimi kriminal që iu bëri i biri tashmë ka shkatërruar disa familje. Prindërit e tij dhe vëllai me nusen janë larguar, edhe familjet e dy viktimave s'e kanë të lehtë këtë", tha Tanku. Aktualisht, 32-vjeçari Verbofshi ndodhet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve. 

/Gazeta Shqiptare/