Durrës, 13 mars 2014 – Dy anëtarë të komunitetit rom, bashkëjetues njëri me tjetrin, janë prangosur në kuadër të operacionit policor “Vollga” në Durrës. Policia e qytetit bregdetar në bashkëpunim me prokurorinë kanë vënë pas hekurave dy prindër që shfrytëzonin për qëllime fitimi fëmijët e tyre. Mbi 48 vjeçarin Besim P. dhe 36 vjeçaren Flutra S. rëndon akuza “Keqtrajtim i fëmijëve”.
Dy shtetasit në fjalë akuzohen se shfrytëzonin me qëllim fitimi 4 nga 5 fëmijët, që kishin së bashku, në shëtitoren “Taulantia”. Sipas policisë, çifti kishte 5 fëmijë të moshës së mitur, më i vogli vetëm 1 vjeç e gjysëm, të cilët nxirreshin çdo ditë prej prindërve për të lypur në shëtitoren kryesore të qytetit. Shfrytëzimi i fëmijëve të vegjël vijonte prej mëse një viti. Për orë e orë të tëra të miturit qëndronin të ulur në asfalt ose lëviznin nëpër lokale të ndryshme të zonës për të mbledhur lëmoshat e qytetarëve. Më pas i gjithë fitimi i ditës mblidhej nga prindërit e tyre.
Pas ndalimit të dy bashkëjetuesve, që kishin edhe të tjerë fëmijë në moshë më të rritur nga martesa të mëparshme, 4 nga 5 fëmijët e çiftit u dërguan në Shtëpinë e Foshnjes në Durrës. Nëse gjykata do t’i shpallë fajtorë, dy prindërit shfrytëzues rrezikojnë të humbin kujdestarinë e fëmijëve të tyre.
Fenomeni në fjalë është mjaft i njohur në qytetin bregdetar, ku në shumicën dërrmuese të kryqëzimeve kryesore ose në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit sheh në çdo orë të ditës dhjetëra fëmijë të vegjël, por edhe të tjerë më të rritur, kryesisht të komunitetit rom që dalin për të lypur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





