Kavajë, 13 mars 2014– Kryeministri Edi Rama premtoi mbështetje për sipërmarrjen e cila sipas tij është punëdhënësi më i madh. Deklaratën kreu i qeverisë e bëri nga Kavaja ku mori pjesë në përurimin e zyrës së punësimit. Rama premtoi krijimin e një zonë industriale në këtë qytet dhe mbështetje për fasonët.
“Mbështetja dhe fuqëzimi i sipërmarrjes përmes vënies në dispozicion të gjithë atyre që duan të bëjnë investime të reja, të një kapitali njerëzor që është i skanuar me kategori, me kualifikime dhe me të dhënat e nevojshme që biznesi të mos humbasë kohë dhe mundësi për të bërë përzgjedhjen më të mirë. Ne jemi në një proces për të krijuar një zonë industriale pranë Kavajës që do të shërbejë si një platformë për ndërtimin e kapanoneve për fasonët dhe për të kryer investime të tjera me natyrë prodhuese”,- tha Rama.
Ai premtoi se së shpejti do të jetë gati edhe paketa për biznesin fason ndërsa vlerësoi edhe zyrat e punës për punësimin e 1555 personave brenda 1 muaji.
“Një paketë shumë të rëndësishme për industrinë Fason që ka një tipar karakteristik që zhvillohet shpejt dhe krijon shpejt vende të reja pune. Këtu në Kavajë kemi një të dhënë tjetër që 2055 gra dhe vajza që janë pa punë. Është koha që të shpjegojmë me durim që shteti s`mund të jetë punëdhënësi më i madh, punëdhënësi më i madh është sipërmarrja private dhe prioriteti ynë rritja e punësimit është e lidhur me krijimin e kushteve për të nxitur sipërmarrjen që të zgjerohet dhe për investimet e huaja”,- tha Rama.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





