Tiranë, 13 mars 2014 – Imami i vetëshpallur i unazës te Xhamia e Re, Genc (Abdurrahim) Balla, bënte thirrje për xhihad luftarak në Siri, përmes videothirrjeve në internet. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka identifikuar dy faqe interneti, www.sheriati.com dhe www.thirrjaevertete.com, ku imami Balla bënte propagandë për luftën në Siri dhe ka bllokuar videot në këto faqe. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se këto dy faqe interneti, administroheshin nga grupimi dhe përmes tyre u bëhej thirrje besimtarëve që, bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre, të shkonin në luftën për krijimin e shtetit islam. Abdurrahim Balla, konsiderohet si organizatori kryesor i rekrutimit, organizimit dhe dërgimit të besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihah në Siri dhe thirrjet e tij i përçonte tek besimtarët jo vetëm përmes faljeve të së premtes, por edhe në takime të ndryshme, në Shqipëri e Kosovë, si dhe përmes videothirrjeve në internet. Në asnjë nga videot, qoftë të publikuara në faqet e internetit, qoftë dhe në ato që ndodhen në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, imami i vetëshpallur i Unazës së Re, nuk shfaqet me pamje. Në video dëgjohet zëri i tij, ku ndër të tjera shprehet se besimtarët duhet të shkojnë në këtë luftë të shenjtë. Ai është tejet i kujdesshëm që të mos shfaqet, madje për këtë fakt, porositen dhe besimtarët. Të gjitha videothirrjet e tij janë sekuestruar dhe po analizohen nga Prokuroria për Krime të Rënda. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/