Tiranë, 11 mars 2014 – Pas arrestimeve për terrorizëm ka reaguar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Sipas KMSH të arrestuarit nuk janë punonjës të komunitetit.
“Nisur nga lajmet e sotme për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman. Komuniteti Mysliman e ka bërë të ditur edhe më parë qëndrimin e tij për mos përfshirjen e besimtarëve shqiptarë në konfliktin sirian.”- thuhet në njoftimin e KMSH-së.
KMSH bën me dije se pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame. “Gjithsesi Komuniteti Mysliman inkurajon një proces të drejtë ligjor. Pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është promotor i vlerave më të bukura islame dhe predikimit të bukurive të besimit, të harmonisë dhe tolerancës në vendin tonë.”- thuhet më tej në njoftimin e KMSH.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





