Tiranë, 11 mars 2014 – Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua dokumenti më i ri strategjik pas anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, por dhe për fazat e mëtejshme të integrimit presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi se siguria kombëtare është gjithçka, që kontribuon pozitivisht në mbrothtësinë e kombit. Takimi u zhvillua në ambientet e Presidencës, ndërsa në mbledhje moren pjesë, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, shefi i shtabit të përgjithshëm dhe një pjesë e mirë e kabinetit qeveritar. Gjatë mbledhjes, Nishani tha se ftesa për kryetarin e opozitës është diçka që ligji ia njeh, por është dhe detyrim për një dokument afatgjatë që duhet të miratohet me konsensus në Parlament.
Në fjalën e tij Nishani theksoi se siguria kombëtare është gjithçka ndaj nevojitet një rishikim në strategjinë e mbrojtes. Ai ftoi të pranishmit të ofronin këndvështrimet e tyre rreth kësaj çështje, ndërsa shtoi se qëllimi i tij është ta kthejë Këshillin Kombëtar në një mekanizëm aktiv.
“Në këtë mbledhje janë programuar dy çështje. Puna e bërë për përgatitjen e dokumentit të strategjisë së sigurisë kombëtare, procesi i përgatitjes së kësaj strategjie, metodologjia e përdorur, aktorët dhe faktorët që do ta mundësojnë si dhe afatet e formulimit. Së dyti zhvillimi i reformës së bazuar në rishikimin strategjik të mbrojtjes, plani i zbatimit, paketa ligjore, çështja e ristrukturimit të FA-së, menaxhimi i problemeve sociale të reformës”,- tha kreu i shtetit Bujar Nishani.
Më tej kreu i shtetit vijoi duke thënë: “Si presidenti i Republikës do të jem gjithë kohës i vendosur për të ushtruar me përkushtimin maksimal autoritetin që më jep Kushtetuta dhe Ligji. Duke lutur mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj me qëllimin për të shndërruar këtë këshill në një organ aktiv po përgatis një program vjetor të punës së këtij këshilli. Të ndajmë këndvështrime sa më afërta lidhur me gjendjen aktuale dhe përafrimin e sistemit tonë të sigurisë me vendet e NATO dhe BE. Përgatitja e paketës ligjore të dokumenteve strategjike deri në samitin e NATO-s do të jetë rast i mirë të provojmë se jemi anëtare seriozë të aleancës, dimë të mirëkuptojmë dhe të bashkëpunojmë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





