Durrës, 11 mars 2014 – Sektori kundër nakotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ka arrestuar 37 vjeçarin Armand Mara, i shpallur në kërkim në SHBA. Kapja e shqiptarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga FBI, për trafikimin e kokainës në USA, u bë e mundur në sajë të një operacioni të mirëorganizuar. Shtetasi Armand Mara (Shima), njihej ndryshe dhe si Goni Brraka.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga FBI, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka kryer transportin dhe shpërndarjen e sasive të konsiderueshme të kokainës.
Ndaj këtij shtetasi është lëshuar urdhër arresti më datë 15 nëntor 2012 nga Gjykata e distriktit Massachusetts në SHBA. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi drejt SHBA-ve.
Armand Mara, ishte pjesë e një organizate kriminale e përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe kryesisht kokainës nga Kalifornia në Boston. Kjo organizatë ka trafikuar mbi 50 kg kokainë në vitet 2010-2012, dhe Mara dyshohet se ishte ndër personat kyç në këtë veprimtari kriminale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





