Tiranë, 7 mars 2014 – Një aktivitet festiv i zhvilluar në burgun “Ali Demi” në Tiranë për 8 Marsin i solli buzëqeshje dje Nazime Vishës, 20-vjeçares së dënuar më 10 vjet burg për “vrasje me paramendim”. E dënuara, e cila kërkoi faljen e kohës që i ka mbetur në burg, duket se nuk e ka pritur mirë vendimin e Presidentit të Republikës që i refuzoi kërkesën e saj. Nazimja nuk dëshiron të flasë shumë, megjithatë në një komunikim të shkurtër me të, për shkak se autoritetet e burgut nuk pranonin që ajo të fliste me gazetarët, e dënuara komentoi për refuzimin e faljes. Me sy të lëngëzuar nga lotët, ajo thotë se lajmin e keq e ka marrë vesh gati një javë më parë. “E mora vesh para një jave. Nuk më fali”, shprehet Nazimja, ndërsa shtrëngon gishtat e njërës dorë me gishtat e dorës tjetër. Më tej tregon se ia kanë thënë me fjalë lajmin e keq dhe se nuk e ka parë shkresën që ka dërguar Ministria e Drejtësisë në institucionin e burgut me refuzimin e faljes së saj. 

Nazimja nuk di si ta komentojë mospranimin e kërkesës së saj. “Unë doja të falesha, por ai nuk e bëri. Di që ata që kërkuan faljen time ishin njerëz të rëndësishëm, por në fund vendos Presidenti”, thotë ajo. Nazimja nuk e ka një mesazh për kreun e vendit. “Nuk di çfarë t’i them. Duhet ta mendoj një herë”, shprehet. Nga biseda në vijim, me fjali të mangëta prej saj, kuptojmë se Nazimja diç ka mësuar, se ligji e ndalon faljen për veprën penale për të cilën ajo është duke vuajtur dënim. Shpreh mërzi për mbylljen në qeli, por çelet sakaq kur thotë se familjarët vijnë ta takojnë rregullisht. Më tej biseda ndërpritet nga një punonjës policie që e tërheq nga krahu duke i thënë se “sot je për aktivitet, jo përtë folur me gazetarët”. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/