Tiranë, 6 mars 2014– Në kuadër të festës së 7 marsit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me mësuesit. Duke theksuar vendosmërinë e qeverisë së tij për transformimin e sistemit arsimor në vend, kreu i ekzekutivit nënvizoi se ky proces tashmë ka filluar. Ai theksoi se do të ketë reformë rrënjësore në sistemin arsimor.

“Qeveria është vetëm njëra palë në procesin e transformimit, pala tjetër jeni ju. Në këtë bashkëveprim mes dy palëve është vendosur një dialog konstant për të hapur kantieret tona të reformave.”- u shpreh kryeministri. 

Duke iu referuar pagës së punonjësve të arsimit, kryeministri theksoi se këtë vit përveç rritjes reale të pagës me 4%, ekziston dhe mundësia e indeksimit sipas fashave. 

“Falë taksimit të ndershëm, në këtë 7 mars të parë, mësuesit e arsimit të mesëm përfitojnë në muaj 20 mijë lekë, ata të arsimit 9 -vjeçar 22 mijë lekë, edukatorët 23 mijë lekë dhe të tjerët, punonjësit, ndihmësit, pastruesit, 29 mijë lekë. Ata që fitojnë më pak paguajnë më pak taksa dhe sigurisht në fillim të muajit kanë një përfitim më të madh duke kompensuar në njëfarë mënyre pagën më të ulët.”- deklaroi kryeministri Rama. 

Kryeministri ka mirëpritur edhe pyetjet nga mësuesit e mbledhur në këtë takim.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/