Ukrainë, 6 mars 2014 – Parlamenti i rajonit të Krimesë në Ukrainë ka votuar për t’u bashkuar me Rusinë dhe ka shpallur referendumin për këtë çështje, i cili do të mbahet më 16 mars. Zëvendëskryeministri Rustam Temirgaliev ka thënë se votuesit do të pyeten nëse duan të mbeten pjesë e Ukrainës apo t’i bashkohen Federatës Ruse. Udhëheqja pro-ruse e Krimesë shihet si jolegjitime nga autoritetet qendrore të Ukrainës. Krimea ka shumicën e popullsisë rusishtfolëse.
Aktualisht, forcat pro-ruse zotërojnë kontroll de fakto të Krimesë dhe trupat ukrainase gjatë natës kanë mbetur të bllokuar në bazat e tyre. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka ngrirë pasuritë e presidentit të rrëzuar, Viktor Janukoviç, të djalit të tij dhe të 16 zyrtarëve të tjerë. Liderët e BE-së po zhvillojnë një samit urgjent për të vendosur sesi do t’iu përgjigjen dërgimit të trupave rus në Krime të Ukrainës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





