Durrës, 6 mars 2014 – Një objekt katër katësh është shembur nga fadromat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ndërsa të njëjtin fat pritet të kenë dhe 5 shtëpi të tjera, si dhe dhjetra mure rrethues në zonën e Shkozetit. Prishja e 16 objekteve, tetë prej të cilave shtëpi banimi, konsiston në krijimin e kushteve për vazhdimin e punimeve në bypass-in e Shkozetit. Aksioni i INUK-ut është mbështetur edhe nga efektivë të policisë. Sipas inspektorëve të INUK ndërtimet që janë shembur në këtë aks rrugor kanë qenë pengesë për ecurinë e punimeve për ndërtimin e bypass-it.

Nga ana tjetër disa prej pronarëve të objekteve që janë planifikuar të shemben janë shprehur kundër aksioni të ndërmarrë, sepse sipas tyre ata nuk janë njoftuar më parë dhe për më tepër ndërtimet që kanë bërë janë me leje të rregullt dhe ata janë në pritje të marrjes së vlerës së kompensimit. Shpronësimi sipas tyre nuk është bërë ende. Aksioni i INUK pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ndërhyrja në këtë zonë erdhi në bazë të një plani veprimi për verifikimin, dokumentimin e prishjen e ndërtimeve me qëllim lirimin e hapësirave publike nga do të kalojë unaza e qytetit të Durrësit.

Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Këshillit të Ministrave për INUK për “Për unifikimin e kompetencave të INUK-ut në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/