· Marine Le Pen propozon krijimin në Ukrainë të një lloj federate me tre rajone, që do t’i mundësonte secilit rajon të ketë një shkallë të gjerë autonomie
DURRËS, 6 mars 2014 – Vetëm me anë të bisedimeve mund të dilet nga kriza ukrainase. Kështu deklaroi presidentja e FN-së (Fronti nacional), Marine Le Pen, duke theksuar se faji për atë që po ndodh në Ukrainë bie mbi Bashkimin Evropian. Kreu i së djathtës franceze Marine Le Pen, e ftuar në një intervistë në RFI (Radio France Inter), deklaroi:
“Faji është i të gjithëve, nëse mund të shprehem kështu. Para së gjithash sepse BE-ja i hodhi benzinë zjarrit, në rebelimin, që u shndërrua në revolucion. Për shkak se i mbushën mendjen një pjese të Ukrainës të besonte se Ukraina mund të hyjë në Bashkimin Evropian, gjë që absolutisht nuk është e vërtetë. Duhet thënë saktësisht: evropianët nuk duan Ukrainën në BE. Meqë ra fjala, Evropa gjithashtu nuk dëshiron në gjirin e saj as Shqipërinë, as Maqedoninë, as Turqinë. Ne tani jemi në një situatë kundërthënëse: Krimea është rusisht-folëse dhe madje pothuajse ruse, mund të themi. Dhe njëra pjesë e Ukrainës është rusisht-folëse, kurse pjesa tjetër është ukrainisht-folëse. Por secila pjesë ka të drejtë ose të kthehet drejt Perëndimit, ose të kthehet drejt Lindjes. Ndërkaq unë nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër për të ruajtur paqen dhe tërësinë e Ukrainës, përveç kësaj, si të krijohet një lloj federate, e cila do t’i mundësonte secilit rajon të ketë një shkallë të gjerë autonomie (fédération qui permettrait à chacune des régions d’avoir une large part d’autonomie)”.
Sipas saj, është e nevojshme të vihet në lëvizje diplomacia. “Deri më tani vetëm Gjermania është e angazhuar, për shkak se Franca ka tashmë disa vjet që nuk dëgjohet në arenën diplomatike. Duhet gjetur një zgjidhje e tillë që në këtë rast Ukraina, natyrisht, të mbetej e bashkuar dhe sovrane, por që në të njëjtën kohë do t’u lejonte tre rajoneve të mëdha të siguronin autonominë, me qëllim që të siguronin të drejtat e pakicave. As më pak as më shumë kjo është një nga arsyet e turbullirave në Krime”, – vuri në dukje Le Pen-i.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





