Tiranë, 5 mars 2014– Ministria e Drejtësisë ka nisur verifikimin e vendimeve gjyqësore për Arben Gropën, i dënuar në total me 32 vite e gjashtë muaj burg.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se “Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës; të nenit 6 pika 9, të Ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar; dhe të neneve 31 e vijues të Ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e inspektimit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Gjykatën e Apelit Vlorë, për verifikimin e procedurave gjyqësore të zbatuara gjatë gjykimit të kërkesës penale me objekt:
Miratim të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktim mase sigurimi “arrest në burg”, për efekt ekstradimi, ndaj shtetasit Vangjel Zijaj (alias Arben Gropa),
Shtetasi Vangjel Zijaj (alias Arben Gropa),është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, (autoritetet e Gjykatës së Romës), për veprën penale të trafikut të drogës.
Ai rezulton të jetë i dënuar tre herë të ndryshme me një periudhë totale dënimi 32 vjet e gjashtë muaj.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka dhënë vendimin “arrest me burg” (22.01.2014), ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë me anë të vendimit nr. 70 datë 20.2.2014 ka ndryshuar masën e sigurimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Fier, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.”- përfundon njoftimi i MD-së.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





