Tiranë, 5 mars 2014 – Ministri për Zhvillimin Ekonomik, Tregtinë dhe Sipërmarrjen, Arben Ahmetaj, ka bërë të ditur se janë anuluar të gjitha gjobat ndaj biznesit të vendosur nga periudha 1 mars deri më 31 gusht të 2013.
"Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka kaluar projekt-ligjin “Për faljen e Dënimeve Administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 Mars deri në 31 Gusht, 2013. Me anë të këtij projektligji do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës në fjalë, pra periudhës para-elektorale dhe elektorale, kur gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit – dhe ato të abuzimit masiv në periudhën pas elektorale. Ky vendim i Këshillit të Ministrave është një hap tejet i rëndësishëm përpara në marrëdhënien qeveri – biznes. Ndërsa deri dje gjobat përdoreshin si instrument i presionit politik, apo për të mbushur arkat e zbrazura nga keq-menaxhimi, ky kapitull i turpshëm i marrëdhënies shtet-biznes nuk ndodh më. Ashtu siç kishim premtuar, ne po e shpëtojmë biznesin nga të gjitha ndëshkimet dhe presionet parazgjedhore, pasi në themel të marrëdhënies së re ne vendosim besimin", u shpreh Ahmetaj.
Sipas ministrit, ky vendim vazhdon trendin pozitiv për ekonominë, që këto ditë është treguar nga marrëveshja e arritur me FMN për programin dhe rritja e ndjeshme e të ardhurave për administratën tatimore dhe doganore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





