Tiranë, 5 mars 2014 – Shtyhet mbledhja me dyer të mbyllura e Komisionit të Sigurisë Kombëtare ku pritej të dëgjohej raportimi i kreut të SHISH.
Mbledhja nisi me dyer të mbyllura, por pas një kërkese të kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika u shty pak minuta. Më pas mbledhja u shty për një afat të pacaktuar për shkak se disa prej deputetëve të pranishëm nuk ishin të pajisur me çertifikatën e sigurisë, gjë kjo e kërkuar nga kreu i SHISH.
Sipas tij, në mbledhje nuk duhet të jenë prezent persona pa këtë çertifikatë, sepse sipas kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror shkelet ligji për informacionin e klasifikuar. Deputetët kanë aplikuar për të marrë çertifikatën e sigurisë në Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar, në varësi të kryeministrit. Nga ana e tyre edhe deputetët kanë kërkuar të verifikohet çertifikata e sigurisë për Visho Ajazi Lika.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





