DURRËS, 4 mars 2014 – Teksa njerëz të PD-së po mundohen të tregohen gjoja anti-rusë dhe kërkojnë një reagim të fortë të qeverisë kundër Putinit, i pari që po hesht, është Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani.
Mund të kishte dhe ndonjë deklarim nga Kryeministri z. Edi Rama, por në fund të fundit, në emër të qeverisë së tij doli Ministria e Punëve të Jashtme me dy deklarata, më 1 dhe 3 mars 2014.
Por heshtja më elokuente është ajo e kreut të shtetit. Ndoshta, nga frika se i hapen letrat (më 26 gusht 2011, kur ishte ministër i Brendshëm i PD-së, z. Nishani ka nënshkruar një marrëveshje (në foto) kundër drogës me Kremlinin dhe pjesëmarrjen në pesëshen kundër Kosovës: Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Shqipëri, Rusi).
Në këtë marrëveshje ka zotime për shkëmbim informacionesh. Z. Nishani uli “pjacën”, pasi si ministër nuk dërgoi kreun e antidrogës në dikaster, por shkoi e hodhi nënshkrimin personalisht me gjeneralin rus Viktor Ivanov, shef i Antidrogës së Federatës Ruse, njeriu më i afërt i Putinit.
Kurse z. Berisha e priti me nderime gjeneralin, të cilit i kërkoi t’i jepte përshëndetjet e tij z. Putin dhe Medvedev, të cilët tani i konsideron “Hitler”.
Info
Gjatë një vizite në Rusi, kryetari i Asamblesë Legjislative i bashkisë së Shën Peterburgut z. Vadim Tjulpanov i dorëzoi ish-kryetares së Kuvendit zonjës Jozefinë Topalli Medaljen e Nderit (në foto poshtë), dekoratë që u jepet vetëm personaliteteve me kontribut të shquar në politikë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





