DURRËS, 4 mars 2014 – Rrënjët e paditurisë akademike të Peshkopisë shtrihen në universitetin publik të Durrësit, teksa nuk e dinë që muaji shkurt i vitit 2014 nuk ka 30, por 28 ditë!
Duket tejet e pabesueshme, por është fakt: filiali i Peshkopisë i Universitetit publik “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, me urdhër të rektorit politik Mithat Mema, ka urdhëruar ripërsëritje provimesh më… 30 shkurt 2014!
E përditshmja “TemA” ka publikuar foton e njoftimit skandaloz: “STUDENTET TE CILET E KANE ZHVILLUAR PROVIMIN DITEN E MARTE DATE 18/02/2014 DO RIPERSERISIN PROVIMIN DITEN E ENJTE 30/02/2014 ORA 09:00 NE TE NJEJTAT SALLA”.
Është shfaqje flagrante e shkrehjes administrative të një institucioni shtetëror të arsimit të lartë, jo vetëm për lapsusin e muajit, por edhe për llogaritjen e ditëve të javës: nëse, vërtet, muaji shkurt 2014 do të kishte edhe datën 30, nuk do t’i binte të enjten, por të dielën (2 mars 2014).
Po ashtu, në këtë njoftim del në pah se rektori i “ha” gjuhës shqipe germën “Ë/ë”, shenjën e pikësimit (presjen) dhe të ardhmen e foljes me “[do] të”.
Çfarë cilësie do të kenë të diplomuarit e ardhshëm?
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





