Durrës, 4 mars 2014 – Ish nusja dhe ish vjehrra pretendojnë se janë dhunuar sistematikisht nga njëra-tjetra, policia plotëson kërkesë padi për Urdhër Mbrojtje për të dyja. Duket se kjo është zgjidhja që kanë gjetur efektivët e rendit përballë denoncimeve reciproke të një 22 vjeçareje dhe një 51 vjeçareje për ushtrim dhune në familje.
Ndarja e nuses nga djali i 51 vjeçares M.C. duket se nuk është kapërdirë nga të dyja palët, për më tepër që situata është rënduar edhe më tepër për shkak se ish nusja e shtëpisë ka kërkuar kujdestarinë për fëmijën e çiftit. Të ndodhur përballë kësaj situate, të dyja palët janë konfliktuar me njëra tjetrën, madje nuk kanë munguar edhe rastet e dhunës fizike.
Në pamundësi për t’u marrë vesh me njerëzit e ish burrit të saj 22 vjeçarja K.C., banuese në Armath, Durrës i është drejtuar komisariatit të policisë për të denoncuar ish vjehrrën. Por veprimi i së resë është pasuar nga nëna e ish bashkëshortit të saj. Edhe kjo e fundit ka pretenduar se ish nusja “i ka vënë dorë”. Të dyja shtetaset janë duke u ndjekur në gjendje të lirë nga ana e policisë dhe tashmë duket se do të jetë gjykata ajo që pritet të zgjidhë ndoshta përfundimisht konfliktet mes palëve, që mesa duket divorci i çiftit nuk arriti t’i sheshojë.
Ndërkohë po një ditë më parë, ka qenë një tjetër vjehërr që ka denoncuar në polici dhunën e ushtruar nga nusja e saj. Burime policore pohojnë se një 59 vjeçare nga Durrësi pretendon se është dhunuar nga nusja e saj 40 vjeçare, M.K. Edhe në këtë rast, efektivët blu kanë plotësuar Kërkesë – Padinë për lëshimin e menjëhershëm të Urdhrit të Mbrojtjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





