Laç, 4 mars 2014 – Janë ekzekutuar me armë zjarri dy vëllezër në qendër të qytetit të Laçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:30 pranë stacionit të furgonëve në qendër të qytetit. Dy vëllezërit Genc dhe Preng Cara janë qëlluar me armë zjarri nga një person që dyshohet se vuan nga probleme mendore. 

Sipas dëshmitarëve, autori i krimit ka qëlluar me dy pistoleta drejt vëllezërve Cara, me të cilët thuhet se njihej prej kohësh.

Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët, ndërkohë që mësohet se dy kalimtarë kanë mbetur të plagosur.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e krimit. Sipas hetimeve paraprake, autori i ngjarjes është shtetasi Altin Piroli nga Mamurrasi, i cili është arrestuar pak minuta pas kryerjes së krimit. Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i dyshuar i ngjarjes rezulton të jetë person me probleme mendore. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/