Rustem Hoxha është një nga “shtyllat” kryesore të skuadrës durrsake. 29-vjeçari, përveçse është një garanci në fazën mbrojtëse, shpesh e ndihmon ekipin edhe në sulm.

Rustem Hoxha pohoi se kampion do të dalë ai ekip që do të jetë grup solid deri në fund. Reagimi dhe rikthimi në krye të renditjes për mbrojtësin është një fakt që tregon se Teuta e ka treguar veten gjithmonë dhe beson deri në fund te titulli. Ai tregon se kujt ia dedikon golin dhe se çfarë pritet ndaj Vllaznisë.

Hoxha, me golin që i shënuat Kukësit vulosët fitoren, duke bërë që të harroni shpejt humbjen me Tiranën…

Ishte e rëndësishme që të ktheheshim te fitorja. Pas asaj humbjeje që nuk e prisnim ndaj Tiranës, besoj se ishte një reagim shumë i mirë nga ana jonë. Kjo tregon forcën dhe karakterin e skuadrës durrsake.

Ktheheni sërish në krye dhe luani ndaj Vllaznisë. A është ky një shans për të treguar veten si pretendent për titull?

Ne e kemi treguar veten në shumë ndeshje se jemi pretendenti kryesor për titull. Do të jetë një përballje e rëndësishme, Vllaznia ka një ekip të mirë. Kështu që, duhet të bëjmë më të mirën që të fitojmë ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Kush mendon se do ta bëjë diferencën në betejën e ngjeshur mes skuadrave për të dalë kampion?

Besoj se diferencën do ta bëjë vetëm grupi. Kush do të ketë grupin më të bashkuar dhe do të bëjë maksimumin duke vlerësuar çdo ndeshje, ajo do e bëjë diferencën.

Kujt ia dedikoni këtë gol që i shënuat Kukësit?

Pa diskutim këtë gol ia dedikoj babit tim, sepse më ka ndjekur gjithmonë në çdo hap në karrierën time sportive. Ai është edhe tifozi im më i zjarrtë.