Nga Gjergj Frashëri
Këto radhë, që bëjnë fjalë për dëmtimet sistematike të trashëgimisë arkeologjike në qytetin e Durrësit, vendosa t’i shkruaj për dy arsye: e para, sepse shkatërrimet e nëntokës arkeologjike të këtij qyteti të famshëm antik e mesjetar shqiptar kanë marrë kohët e fundit përmasa të padurueshme; tjetra, sepse nuk po shohim asnjë reagim nga Ministria e Turizmit dhe e Kulturës për sinjalizimet që i kemi dërguar zyrtarisht, me lutjen për shpëtimin e nëntokës arkeologjike të disa rasteve
Në dhjetëvjeçarin e fundit, përreth Durrësit kanë lindur shumë ishuj dhe gadishuj, të pagëzuar me emrin “Plehra Arkeologjike”. Ata janë ngritur me substancën arkeologjike, që sillet përditë nga nëntoka e Durrësit dhe shkarkohet ku të mundet në fushat rreth e rrotull Durrësit, në Shkozet e gjetkë. Janë shumë të tillë, nga ishujt më të mëdhenj me shtrirje rreth 40 mijë metër katror e trashësi 1,7 m, deri tek ata fare të vegjël, për shembull dhjetë kamionë (rreth 50 metër kub secili). Volumi i përgjithshëm i tyre mund të nxirret nga përllogaritja e zgavrave (gropave) të themeleve që janë hapur në qytetin e Durrësit të paktën prej vitit 2000. Sa është numri i këtyre ishujve dhe gadishujve dhe ku gjenden të shpërndarë gjeografikisht, është një punë e madhe për t’u gjurmuar dhe dokumentuar. Por kjo punë duhet bërë, dokumentuar dhe duhet të dorëzohet në arkiva, sepse ndryshe pasardhësit tanë do të kujtojnë se Durrësi i famshëm antik nuk ka qenë aty ku është sot siç e njeh historia, por në fushat e Shkozetit dhe vende të tjera të panjohura, ku ka grumbullime hedhurinash të nëntokës së qytetit të sotëm.
Çfarë gjendet në këta ishuj të mëdhenj e pirgje me Plehra Arkeologjike të Durrësit? Gjendet mjerisht e gjithë trashëgimia arkeologjike e masakruar e qytetit. Pikërisht nga Plehrat Arkeologjike të Durrësit kemi vërtetuar ekzistencën e tempujve dhe ndërtimeve të tjera të përmasave ndërkombëtare për botën antike. Për shembull, aty shihet pjesa e sipërme e një kolone të arkitekturës elitare romake. Ajo vjen nga zemra e lagjes religjioze të Durrësit në kohën e lulëzimit antik. Mbetja e kolonës së thyer prej mermeri të Carrara-s (me lartësi fillestare rreth 4 m dhe trashësi të poshtme prej më se 0,85 m) tregon për ekzistencën e një tempulli ose një ndërtese elitare perandorake të kësaj kategorie të qytetit. Kjo kolonë së bashku me blloqe gurësh të mëdhenj bazamentesh gjenden, sipas gjurmimeve tona, në pirgjet e shkarkimit të hedhurinave që vijnë nga mjedisi i ndërtesës të marrë si shembull më sipër.
Nuk është e mundur që sektorët përgjegjës shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të mos jenë në dijeni për këtë dhunim historik të vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare të Durrësit. Tashmë më shumë besoj në faktin se, edhe kur dikush informon zyrtarisht me kurajën e hapur të qytetarit, MTKRS-ja nuk bën asnjë lëvizje, asnjë gjest për të treguar të paktën se është e interesuar për mbrojtjen e trashëgimisë, për kryerjen e detyrës që është përgjegjëse.
Heshtja pa përgjigje tregon rezultatin, se Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës dhe profesorë të Institutit Arkeologjik në Tiranë, anëtarë të KKA-së pranë MTKRS-së janë në dijeni dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në këto dëmtime. Është një solidaritet i heshtur – heshtje mortore e institucioneve shtetërore kundra ruajtjes së pasurisë së trashëgimisë kulturore dhe pro nënvleftësimit e zhdukjes së saj. (Ka zgjim dhe entuziazëm vetëm kur dalin tema koncesionesh). Bëhet e gjitha kjo thjesht për përfitime vetjake? Për nga përmasat e shtrirjes dhe kohëzgjatja, duket sikur e gjitha i takon një strategjie shtetërore kundra Durrësit si dokument historik. Kush është i interesuar për këtë strategji? Është vepër shekullore e fqinjëve, apo injoranca në veprim e vendasve? Ka qeveria ndonjë plan perspektiv se kur do të mbarojë ky shkatërrim sistematik i trashëgimisë kulturore në Durrës?
Se si dhe në ç’masë mund të rrënohet një qytet me pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike në kohë paqeje, nuk ka shembull në historinë botërore që t’ia kalojë Durrësit të periudhës 1992-2013. Po ta kisha në dorë, do të kisha prerë një monedhë për këtë periudhë të Durrësit “demokratik”, në anën kryesore të saj një pamje e pirgjeve të pafundme me “plehra arkeologjike” në fushat e Shkozetit me diçiturën “Durrësi antik”, ndërsa në anën tjetër të monedhës, krenarinë e Durrësit demokratik, një grup pallatesh betoni të seleksionuar sipas shijes vendase nga qyteti i dikurshëm antik me diciturën “Krenaria e Durrësit demokratik”, për të cilat u sakrifikua një vepër gjigante e trashëgimisë historike botërore.
"http://mapo.al/2014/02/13/tempujt-e-famshem-te-durresit-zhduken-ne-plehra-arkeologjike/" http://mapo.al/2014/02/13/tempujt-e-famshem-te-durresit-zhduken-ne-plehra-arkeologjike/





