Nga Gladiola Busulla
Fillimisht dua t’ju rrëfej një anekdotë, që shumëkush prej jush mund ta dijë. Pyesin njërin, se ku qëndron dallimi midis një zonje dhe një politikani.
– Epo një zonjë e vërtetë nuk duhet të thotë thotë kurrë Po, – përgjigjet ai.
Ndaj, në se të thotë Jo është Ndoshta, e në se të thotë Ndoshta, në fakt të ka thënë, një Po.
Ndërsa me politikanin ndodh e kundërta.
-Në se të thotë Po, është Ndoshta, e në se të thotë Ndoshta, është Jo.
Duke iu referuar njërit prej burrave më të mençur të historisë botërore, siç më pëlqen ta quaj shpesh Otto von Bismarck (Bismarkun), politika duhet konsideruar art. Politika është arti i të mundshmes dhe shkenca e relatives, – është shprehur ai.
Në fakt t’i shërbesh popullit tënd duhet të jetë vërtet një privilegj, një pakt burrëror, pse jo një akt dashurie. Shpeshherë, ky rrugëtim i ngjan një tuneli të gjatë, të cilin e përshkojmë me shpresën se do të gjejmë dritë më në fund, teksa kalojmë nga njëra qeveri në tjetrën.
Ndoshta tuneli është shumë i gjatë për ne që ecim me ritmin e kërmillit apo mos vallë, drita në fund të tij është një shpikje e gënjeshtërt, një trill fushate i njëkuptimshëm në të gjithë botën?! Preferoj të besoj aforizmën e Bismarck-ut. Ah, moj kuti e Pandorës!
Në vitin 1500, koncepti mbi politikën u rishqyrtua nga Machiavelli, i cili me traktatin e tij “Princi” identifikoi një formulim të ri ri, duke dalluar etikën civile nga etika shtetërore, pra e ngriti në një nivel më të lartë, në etikën e qeverisjes së një entiteti territorial dhe të një një komuniteti njerëzor. Por në fund, “qëllimi justifikon mjetin”. Kështu do ta përkufizoja shkurtimisht, filozofinë e tij.
Nuk mund të mohohet ekzistenca e përbotshme e opinionit, se politikanët nuk kanë koherencë midis premtimeve dhe veprave të tyre.
Një gazmaraz ky, që tingëllon gjithnjë e më aktual sidomos në vende si Shqipëria.
Mbetet për t’u theksuar fakti se në momentin që një politikan, (qoftë ky ministër, deputet a kryeministër) vendos të shkëpusë lidhjet dhe të humbasë komunikimin me elektoratin, atëherë imazhi i tij do të zvetënohet e do të shkojë drejt humbjes totale të kredos politike. Në se qytetarët nuk gëzojnë alternativën e shprehjes së lirë apo të zgjedhjes së lirë, në se ata nuk kontaktojnë nga afër me politikanët e përzgjedhur, atëherë ata zhgënjehen, të ndëshkojnë me votën dhe përçmimin e parekuperueshëm. Misioni i politikanit merr fund.
Një politikan vizionar krijon gjithnjë hapësira, ku jo vetëm të "kuvendojë" me qytetarët, por dhe t’u ofrojë mënyrat se si të njihen me veprimtarinë e tij. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të qenë pjesëmarrës në politikë dhe për të njohur më tej zhvillimin e saj.
Në procesin pozitiv të integrimit, ne shqiptarët duket se jemi më të vonuarit. Dijetari i madh shqiptar Faik Konica thoshte “shqiptarët në histori gjithmonë vonohen”. Kjo vonesë e jona duket se është një deduksion i të menduarit stereotip, i cili na largon nga shoqëritë e përparuara. Gjithsesi, askush nuk mund të kontestojë prirjen e shqiptarëve për t’u integruar në vlerat e familjes perëndimore. Mbetet një fakt dhe fat shekullor! Për hir të së vërtetës, ne shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë jetuam të shkëputur nga Evropa, për shkak të konformizmit me orientime të ndryshme që na u imponuan. Por koha nuk t’i fal gabimet. Të gjitha këto, sigurisht që reflektojnë kudo dhe sidomos në politikat e reformat që duhet të çojnë përpara vendin. Më shumë se kurrë në udhëkryq, më shumë se kurrë na nevojitet një politikë e drejtë, demokratike dhe e vetëdijshme.Politika rrjedh nga nevoja që ka pasur njeriu për të rregulluar jetën e tij sociale, dhe njëkohësisht për ta bërë atë të drejtë. Në këtë pikë nuk ka se si të mos konfigurohet dhe figura e politikanit, atij i cili gëzon detyrën e organizimit ose administrimin e shtetit, duke ndikuar vazhdimisht me miratimin, ndryshimin, ndërfutjen e ligjeve, në çdo rast i projektuar për të ndjekur idenë fillestare të drejtësisë dhe të qetësisë. Politikani, me pak fjalë, drejton shtetin, vendos fatin e tij: si i tillë, ai duhet të jetë një model për qytetarët, dhe nuk duhet të lejojë kurrsesi që të ndodhin padrejtësi brenda vendit të tij. Për të krijuar një shtet demokratik dhe të drejtë, politika nuk duhet të ndahet nga e drejta morale, bazuar kjo e fundit mbi konceptin e drejtësisë, i cili duhet të frymëzojë politikanin. E gjitha kjo është një teori e bukur dhe e pëlqyeshme; ta vësh në jetë është e vështirë. (Deri në utopi?!)





