27 nëntor 2013 – Inis Gjoni, regjisorja e dashur e skenave tona, flet sot në një intervistë për “VIP Pages” mbi shfaqjen e saj më të re, një komedi brilante, që pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fillim dhjetori. Në rreshtat që do të pasojnë, regjisorja na njeh më shumë me veprën dhe personazhet, të cilët ajo, siç dhe autori i veprës ka bërë, i ka zgjedhur për merak. Genc Fuga dhe Eni Jani, çifti i mirënjohur i aktorëve, do të jenë protagonistët e vetëm të komedisë që premton të na lërë me gojë hapur… Që të mos ju lodhim më shumë, po ju lëmë ta zbuloni vetë brendinë e kësaj interviste…
Cila është fabula që trajton vepra?
Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme. Në këtë komedi trajtohen të gjitha etapat e një jete bashkëshortore, si: pasioni, dashuria, gëzimi i lindjes së një fëmije e deri tek rutina në çift, tradhtia, zhgënjimet, xhelozitë dhe kompromiset bashkëshortore. Bashkëjetesa në çift, tradhtia dhe mbijetesa e saj në raportet intime është sot një nga diskutimet e rëndësishme të shoqërisë, pasi bashkëjetesa familjare dhe qëndresa e saj janë baza për mbarëvajtjen e një shoqërie civile dhe të qytetëruar, pa të cilat ne si shoqëri nuk mund të bëjmë.
Liza dhe Aleksi janë të martuar prej 10 vjetësh dhe kanë dy fëmijë. Ndërsa Liza në ditën e përvjetorit të martesës po mundohet të krijojë një atmosferë sa më romantike duke u munduar të paraqitet përpara Aleksit sensuale dhe joshëse, pikërisht në këtë ditë Aleksi i komunikon se e tradhton dhe se kërkon divorcin prej saj. Që në momentet e para të komedisë shpërthen një ortek poteresh e pakënaqësish të të dyja palëve, duke hedhur të gjithë helmin e mbledhur në këto 10 vite. Ato nisin të zbrazin të vërtetat e pathëna të kësaj bashkëjetese, duke u shprehur tashmë lirshëm për zhgënjimet e pësuara, tradhtitë, xhelozitë, pakënaqësitë dhe dëshirat e tyre, në një përpjekje për të gjetur fajtorin tek njëri–tjetri. Ndaj autori në këtë moment na kthen në retrospektive të 10 viteve më parë, atje ku lindi dhe dashuria e tyre, duke na dhënë kështu një pamje të qartë të kësaj bashkëjetese 10-vjeçare. Përgjatë këtij rrugëtimi ndeshemi në situata tradhtie e konflikte, por nga ana tjetër shohim dhe momente të bukura të jetës bashkëshortore. Atmosfera tensionuese, konfliktuale, ankthioze e pasionale përçon gjithë komedinë. Por në morinë e kësaj situate të pashpresë mosmarrëveshjesh ku gjithçka duket se ka përfunduar, autori në fund na jep një zgjidhje befasuese, duke na çuar shumë vite para, ku e paraqet këtë çift tashmë të moshuar, ku shihet se e kanë kaluar të gjithë jetën bashkë. Mesa duket kompromisi është arma e fundit e një dashurie të mbaruar.
Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë vepër?
Edhe këtë herë, autori i veprës është shqiptari i famshëm në mbarë botën, Halil Vardari, komedia e të cilit vjen e përkthyer mjeshtërisht nga Ylljet Aliçka. Shfaqja do të interpretohet nga aktorët e mirënjohur Genc Fuga dhe Eni Jani, me të cilët kam bashkëpunuar edhe më parë, ndërkohë që mbështetësit e mi në këtë projekt janë “Digitalb” dhe “Qendra e artit dhe kulturës”. Kam një falënderim për të gjithë ata që e bënë të mundur vënien në skenë të kësaj vepre, e cila mbart një mesazh shumë të fortë për familjen dhe shoqërinë.
Ku gjenden sot familja dhe raportet intime në çift brenda saj?
Sot shoqëritë tona kanë pësuar ndryshime gjigante, në të gjitha sferat e jetës, ndaj dhe autori jo pa qëllim ka vendosur në dialogun e veprës paralelizma, për të na dhënë dhe kujtuar se ku ishte marrëdhënia në çift dje dhe se si është sot.
Po thua që me ndryshimin e gjithçkaje në botë, ka ndryshuar edhe mentaliteti i marrëdhënieve në çift?
Po, në këtë vepër trajtohet pikërisht diversiteti dhe arsyetimi i hapur që sot çiftet kanë në raportet e tyre, ku droja dhe ndrydhja janë të pavenda. Ku paralelizmi për të shtyrë mënyrën e vjetër të të jetuarit e të menduarit si prindërit e tyre është prezent në dialogë, si një model që tashmë nuk duhet ndjekur. Por pavarësisht se ku ka arritur bota, duhet thënë që pakënaqësitë, uljet e ngjitjet brenda marrëdhënieve në çift kanë qenë dhe janë të njëjta kudo dhe në çdo kohë; dallimi i vetëm midis së djeshmes nga e sotmja është se çiftet sot thonë me zë të lartë atë që mendojnë për njëri-tjetrin.
Cila është zgjidhja që japin personazhet në fund të veprës?
Ky çift që dikur kërkonin të përbashkëtat e të mirat për t’u bashkuar, sot kërkojnë anët negative për t’u ndarë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të gjetur atë që “duan” në këtë jetë, duket se në fund dorëzohen dhe zgjedhin atë që “duhet”, duke sjellë në ndihmë kompromisin, si armën e fundit të një dashurie të humbur e duke u pajtuar me atë që shoqëria që në gjenezë e ka quajtur të drejtë për ne.
Pra në vepër falet edhe tradhtia?
Po, autori sjell kompromisin si zgjidhjen më të mirë në një marrëdhënie në çift.
Cili është mesazhi që jep vepra?
Jeta bashkëshortore nuk duhet të kalohet si një normë, vetëm e vetëm për të pasur në fund të saj diçka ku të varemi, por duhet shfrytëzuar shansi që na jep kjo jetë, i të bërit të njëri-tjetrit të lumtur pak e nga pak për çdo ditë. Jeta është e shkurtër, ndaj s’duhet të lodhemi së dhëni dashuri çdo ditë.
Inis Gjoni: Tradhtia, jo e pafalshme. Kompromisi e shpëton çiftin
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Nisin lundrimet e dyfishta të trageteve në portin e Durrësit (VIDEO)
Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me Bashkimin Evropian
“Mirlinda Karçanaj, kryemafioze”/ Urdhër arrestet e SPAK, Berisha tregon si ndaheshin tenderat në AKSHI
Aksioni te AKSHI/ Abuzuan me tenderat, SPAK firmosi 8 masa sigurie, zbulohen emrat





