· Blutë bregdetarë të alarmuar nga tritoli i telekomanduar me telefona të lëvizshëm të pa-personalizuar
DURRËS, 30 janar 2014 – Lajmet e vazhdueshme për shpërthime me tritol, që telekomandohen me celular, kanë alarmuar seriozisht forcat e zbatimit të ligjit edhe në Durrës. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit njofton se më 29 janar 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për tre durrsakë: D. S., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 14; Y. L., 41 vjeç, banues në lagjen nr. 7; A. N., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 15. Janë kapur në flagrancë rreth orës 12.30 të 29 janarit 2014 në sheshin “Pranvera”, tek ish-stacioni i autobusëve qytetës të Plazhit, lagja nr. 11, duke tregtuar numra të kompanive të ndryshme të telefonisë celulare, karta ri-mbushëse dhe aparate telefonike celulare, për të cilat nuk dispononin fatura apo licencë për kryerjen e aktivitetit tregtar. U sekuestruan 55 karta me numra telefoni si dhe 35 aparate telefoni celular. Ata akuzohen për fshehje të te ardhurave.
Info
Në një letër dërguar Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shkruan: “Nga hetimet paraprake mbi disa çështje me rrezikshmëri kriminale të theksuar është evidentuar një element i përbashkët që mund të ketë lehtësuar kryerjen e veprimtarisë kriminale: numrat celularë pa pronar të identifikuar. Ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”. Kreu i rendit kërkon nga AKEP-i zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund një herë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare, duke përfshirë sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





